A kishte planifikuar Donald Trump një sulm kundër Iranit?
Planifikoi Donald Trump një sulm kundër Iranit dhe u tërhoq në momentin e fundit? Mediat amerikane flasin për planin e goditjes të disa objektivave iraniane.
Sipas njoftimeve të enjten në mbrëmje, do duhej të goditeshin “disa objektiva iraniane” si sisteme vrojtimi apo raketash. Kjo u anulua në “stad të herët”. Avionët ishin ndërkohë në ajër dhe anijet në pozicion, por nuk është qëlluar. Nuk ka informacione, për cilën arsye është anuluar sulmi. E paqartë është, nëse sulmi amerikan është shtyrë për më vonë.
Gazeta amerikane ka raportuar, se ka pasur diskutime të ashpra në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit, këshilltarëve të tij të lartë të sigurisë, krerëve të kongresit. As Shtëpia e Bardhë dhe as Pentagoni nuk i komentuan këto njoftime.
Në fillim Trump ishte shprehur, se tek goditja e dronit bëhet fjalë për një gabim njerëzor. “Zor ta besoj, se ishte me qëllim”, tha presidenti amerikan para reporterëve në Uashington. I pyetur për një kundërpërgjigje të SHBA, ai tha vetëm “do ta shihni”.
Të dyja vendet japin informacione kundërthënëse për vendndodhjen e dronit. Irani thotë, se ka “prova të pakundërshtueshme”, për një shkelje të hapësirës ajrore nga droni amerikan. Trump kundërshton, e tha se është “e dokumentuar shkencërisht”, se droni gjendej në hapësirën ajrore ndërkombëtare.
Ndërkohë Autoriteti Amerikan i Aviacionit Civil ndaloi fluturimin e avionëve amerikanë mbi hapësirën ajrore të Iranit dhe Gjirin Persik e atë të Omanit. Shoqëri europiane të fluturimit kanë ndjekur këtë hap të autoritetit amerikan. British Airqays e Lufthansa kërkojnë rrugë alternative.
Fraksion.com