AktualitetTë fundit

Video; Kultivonte kanabis në tunelet e komunizmit: Zbulohet baza në Tiranë

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Prevention”, ka sekuestruar kokainë, kanabis sativa në formë çokollate, fishekë luftarakë dhe pajisje, të cilat përdoren për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura.

Kështu u vu në pranga një person dhe u shpallën në kërkim tre të tjerë.

Më konkretisht u vu në pranga Xh. L., 25 vjeç, banues në Tiranë dhe u shpallën në kërkim D. A., V. A., dhe F. S., të tre banues në Tiranë.

Pas informacionit të siguruar në rrugë operative se shtetasi F. S., në bashkëpunim me shtetasit D. A., V. A., dhe Xh. L., po përgatiteshin të kultivonin bimë narkotike në ambiente të mbyllura. Gjithashtu këta shtetas posedonin lëndë narkotike të llojit kokainë dehe dhe kanabis, në një garazh në Rrugën “Kongresi Manastirit”, për ta shpërndarë në doza të vogla.

Policia ka ushtruar kontroll në dy garazhet e shtetasit F. S., të cilat kishin dalje në tunele, vendstrehime, të ndërtuara gjatë viteve të diktaturës, ku gjatë kontrollit policia gjeti dhe sekuestroi 242.6 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, në doza të vogla, 1 kg e 125 gramë lëndë narkotike kanabis në formë çokollate, fishekë luftarakë, 1 peshore elektronike, 3 motoçikleta, një DVR, rreth 600 shishe vere të llojeve të ndryshme, si dhe pajisje të shumta, vegla pune elektrike të llojeve të ndryshme.

Po gjatë kontrollit në një tunel betoni në të cilin futeshe nëpërmjet një hyrjeje të fshehtë në dyshemenë e garazhit, u gjetën edhe pajisje të tjera, të cilat përdoren për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura si llamba elektrike, ventilatorë aspirues, transistorë elektrikë, tuba alumini për aspirim, fuçi për mbajtjen e lëndës narkotike, me aromën karakteristike të Kanabisit, set automatesh dhe prizash elektrike.

Aktualisht vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim si dhe për evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Kontrabanda me mallra që kanë akcizë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

 

Fraksion.com