Kryebashkiaku demokrat rreh kreun e grupseksionit të PD në Devoll
Kandidati i pavarur për Bashkinë Devoll Fejzi Shaholli, ka denoncuar një ngjarje të ndodhur mbrëmjen e djeshme ku ka mbetur i dhunuar kreu i grupseksionit të PD-së Miras Albert Çokani.
Shaholli shprehet se në takimin që pati me disa banorë në një prej lokaleve të fshatit, gjatë shpjegimit të platformës tetë persona kanë hyrë në lokal për të prishur takimin.
I pranishëm në bisedë ka qenë edhe drejtuesi i PD-së së fshatit, i cili ishte afruar për të dëgjuar bisedën dhe për të ofruar mbështetjen e tij.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, grupi i agresorëve është afruar drejt Çokanit dhe pasi e kanë fyer nga nderi i familjes kanë filluar ta qëllojnë me grushta duke e lënë pa ndjenja në tokë.
Dëshmitarët thanë se gjatë kohës kur personat ushtronin dhunë, kanë përsëritur fjalët: “Këtë e ke nga Bledion Nallbati dhe i vëllai i tij (Altin Nallbati)”, duke akuzuar drejtpërdrejt si përgjegjës kryebashkiakun e PD-së.
Në një prononcim të menjëhershëm pas ngjarjes, i dhunuari ka treguar rrethanat e ngjarjes duke nënvizuar se përgjegjës për këtë ngjarje është kryebashkiaku i PD-së Bledion Nallbati duke shtuar se ka pasur kërcenime të vazhdueshme.
“Në momentin e sulmit njëri nga personat më tha: Këtë e ke nga kryetari dhe Duçja (Altin Nallbati). Unë mbaj postin e krytarit të Partise Demokratike në fshat dhe vitet e fundit kam qenë kritik me kryebashkiakun për shkak të sjelljes së tij agresive, mungesës së komunikimit me bashkëfshatarët e mi, por edhe punës aspak dinjitoze për krahinën. Retorikat tona kanë nisur kur unë i kërkoja që minimumi të rregullonte sjelljen ndaj banorëve të cilët më ankoheshin por nuk mendoja se ai do arrinte deri në këtë pikë. Në një mbledhje para disa javësh, ai më ka sulmuar me fjalë duke më njoftuar se më ka vendosur njerëz për ruajtje nëse mbeshtet kanidatin e pavarur z. Shaholli”, shprehet Çokani.
Ndërkohë ai denoncon edhe ngjarjen brenda komisariatit ku shprehet se është dhunuar verbalisht në prani të oficerëve nga vëllai i kryebashkiakut Bledion Nallbati, Altin Nallbati.
“Pas sherrit, të pranishmit u munduan që të më japin ndihmën e parë pasi gjendja ishte jo fort e mirë. Kemi lajmëruar policinë dhe ka ardhur pas 45 minutash nga telefonata jonë. Në ambientet e policisë jam përballur me vëllain e krytarit të bashkisë, Altin Nallbati ku që në kontaktin e parë filloi të më fyente në prani të oficerëve të policisë, duke pranuar indirect autorësinë. Unë jam veteriner në zonën time dhe nuk kam asnjë konflikt personal me askënd”, kallëzon Albert Çokani.
Nga ana tjetër, edhe shefi i fushatës elektorale Jurgen Ocelli, tregon se agresorët janë pjesë e administratës së Bashkisë Devoll dhe kryesisht punonjës në sektorin e zjarrfikses.
“Ishin njerëzit e Bledion Nallbatit dhe vëllait të tij. Ne mundem t’i identifikojmë se janë punonjës të Bashkisë Devoll, rrogëtarë te Zjarrfikësja. Ishim ne nje takim elektoral te mbyllur mes miqsh duke pire nje kafe ne fshatin Miras. Sherri ka zgjatur në një hark kohor prej 10- 15 sekonda dhe personat janë larguar menjëhere me dy makina. Objektivi ishte i qartë që vetëm duhej sulmuar z. Albert, pasi ne të tjerëve nuk na sulmuan. Në rremuje e siper arritëm te identifikomin edhe targën e mjetit. Edhe pse ndihemi të indinjuar për këto akte dhune, askush nuk do t’ja dalë të na trembë apo të na bëjë të heqëm dorë nga misioni ynë për t’i dhënë krahinës kryebashkiakun e duhur”, shprehet Jurgen Ocelli.
Ndërkohë kandidati i pavarur Shaholli ka kërkuar ndëshkimin e agresorëve dhe më tepër siguri për të vijuar garën elektorale.
Ai tregon se gjatë fushatës për zgjedhjet e 30 Qershorit, ka pasur mjaft kërcenime ndaj stafit të tij elektoral por këto i ka kanalizuar në rrugë institucionale./javanews
Fraksion.com