Katër të dënuar me burgim të përjetshëm për vdekjen e 71 emigrantëve
Një gjykatë në Hungari, dënoi katër trafikantë me qenie njerëzore me burgim të përjetshëm, lidhur me vdekjen e 71 emigruesve, trupat e të cilëve qenë gjetur në një kamion në një autostradë në Austri, në gusht të vitit 2015.
Vdekja atëbotë e 59 burrave, tetë grave dhe katër fëmijëve nga Siria, Iraku e Afganistani, tronditi Evropën e cila po përballej me një valë të më shumë një milion refugjatëve dhe emigrantëve atë vit.
Ai ishte incidenti më i rëndë i këtij lloji në rrugëtimin përgjatë Ballkanit dhe Evropës Qendrore, që kishin marrë qindra mijëra njerëz që iknin nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi.
“Vuajtjet në atë kamion janë përtej imagjinatës, siç është indiferenca e madhe që autorët kanë treguar ndaj vdekjes së këtyre 71 njerëzve. Prandaj, për ata që kanë luajtur një rol thelbësor, nuk ka dyshim se dënimi i vetëm në përpjesëtim me krimin e tyre është ai maksimal – jeta në burg pa të drejtë amnistie”, tha gjyqtari kryesues Erik Mezolaki.
Një nga të akuzuarit u dënua me të paktën 30 vjet heqje lirie – ligjërisht një dënim me burgim të përjetshëm në Hungari – por me të drejtën e kërkesës për lirim me kusht pas atij afati, shkruan reuters.
Kreu afgan i bandës dhe tre bashkëpunëtorët e tij bullgarë u gjetën fajtorë për vrasje për shkak të refuzimit që të ndalojnë kamionin frigorifer për të hapur dyert që emigrantët të mund të merrnin frymë, pavarësisht nga lutjet e atyre që ishin brenda.
Udhëtarët e kuptuan se po ishin në rrezik nga ngufatja dhe goditën dyert, klithën e bërtitën për të tërhequr vëmendjen e shoferit, tha një gjykatës hetues gjatë një dëgjimi vitin e kaluar.
Gjykatësi Mezolaki tha se afgani Lahoo Samsooryamal, urdhëroi shoferin të mos hapte dyert e mbyllura hermetikisht në kamionin që po udhëtonte nga Hungaria për në Austri në drejtim të Gjermanisë, synimi i shumë emigrantëve që hynë në Evropë në vitin 2015.
Ai ishte në kontakt me telefon gjatë udhëtimit me bullgarët; Metodi Georgiev, Vencislav Todorov dhe Ivaylo Stoyanov – njëri prej të cilëve drejtonte kamionin, ndërsa dy të tjerët e ndiqnin atë me makina.
Kamioni më pas u braktis ne qytetin Parndorf në Austri.
Gjykimi u mbajt në Hungari, meqë ajo ishte fillimi i rrugës vdekjeprurëse.
Fraksion.com