AktualitetPolitikëTë fundit

“Banja e 13 e maces të Ilir Metës në Lalz”‘; Veliaj: Nuk ia vlen të bëni 5 vite burg për të

Kush tenton të pengojë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës apo do të prishë zgjedhjet e 30 qershorit do të përballet me dënimin nga 1 deri në 5 vite burg, si dhe nuk do të ketë mundësi të udhëtojë jashtë shtetit deri në 10 vite, pas daljes nga burgu. Në takimin e sotëm me administratorët e pallateve, kryebashkiaku Veliaj i porositi që të informojnë qytetarët për masat ndëshkimore që rrezikojnë nëse bëhen vegla qorre në duart e politikanëve të ndryshëm, për të penguar të drejtën e votës për qytetarët e tjerë.

“Nëse ka njerëz në komunitetin tuaj, te kafja poshtë pallatit, që vazhdojnë me këtë frymë, duhet të bëjmë një bisedë të qetë, siç flasim në shtëpi, dhe t’u themi: je gati të bësh 1 deri në 5 vite burg? Sot kalon Kodi Penal në Parlament, nëse je gati që për banjën e 13 të maces së Ilirit në Lalz të bësh burg, ta shtoftë zoti inatin, shko bëj burg, se nuk qenke i denjë të qëndrosh mes nesh. Pra, nuk është nevoja të zihemi me askënd, por vetëm t’i sqarojmë që Kodi Penal thotë se po të shkosh të sakrifikohesh për banjën e maces, je i lirë, nëse jeta jote vlen kaq dhe familja jote vlen kaq, do të bësh 1 deri në 5 vite burg, nëse dëmton ose pengon njerëzit që të shkojnë në zgjedhje”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu, ai kërkoi prej administratorëve që të bisedojnë me banorët e pallateve të tyre dhe t’u bëjnë të ditur se përveç burgut rrezikojnë edhe t’u hiqet e drejta me ligj për të dalë jashtë vendit për një periudhë relativisht të gjatë.

“Pasi të mbarosh burgun dhe të jesh thinjur, të jesh rrudhur e tkurrur, nuk do të dalësh 5 deri në 10 vjet nga Shqipëria. Nëse mendon që banja e maces vlen këtë sacrifice, atëherë je i lire ta bësh. Pra, detyra jonë është vetëm t’i informojmë. Unë nuk besoj se do ketë nga ata trima në Tiranë dhe nga këto çudirat, megjithatë nëse i informojmë, u kemi dalë borxhit. Kështu që, me qetësi, kur të keni raste të tilla vetëm i informoni. Po ka nga ata dallkauk që vazhdojnë dhe thonë që duam babën dhe thonë sa të kem unë nuk pyes për Gjermani dhe s’pyes për Amerikë, s’pyes për OSBE dhe s’pyes për BE, informojeni që edhe do jeni në listë të zezë atje”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se ka ikur koha e të fortëve dhe se çdo kush që shkel ligjin do të përballet me pasojat e tij. Për këtë ai solli në vëmendje edhe rastin e ish-deputetit të PD-së, Bardh Spahia, i cili pasi organizoi turmën që dogji shkollën në Shkodër sot gjendet “prapa hekurave”. “Nuk ka më të fortë, i fortë është ai që respekton ligjin, ai që punon, ai që e do qytetin, ai që nuk i përçan njerëzit dhe ai që nuk ushtron dhunë. Besoj se i patë ata të fortët mbrëmë, vajtën e dogjën shkollën dhe thoshin: zonja Eni, zonja Eni këta po më marrin me polici. Po të keqen teta Eni, po të marrin se dogje një shkollë dhe kush djeg shkollën shkon në burg, dhe nuk del në televizor. Kështu që, për të gjithë këtë stanin me lepuj që paradite djegin shkolla dhe natën thonë zonja Eni po më marrin, besoj që ligji flet vet”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

 

Fraksion.com