Qeveria e Shqipërisë nënshkroi sot një marrëveshje për zbatimin e një programi mbështetjeje për Parlamentin dhe për përfshirjen e qytetarëve në vendim-marrje.
Marrëveshja tripalëshe midis Shqipërisë, Zvicrës dhe OSBE-së siguron punë të përbashkët për përmirësimin e funksioneve të Parlamentit.
Marrëveshja u nënshkrua bashkërisht nga ambasadori zviceran Adrian Maître, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, dhe kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchardt, me pjesëmarrjen e sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë, Genc Gjonçaj.
“Kjo marrëveshje është pjesë e strategjisë së bashkëpunimit zviceran me Shqipërinë, përsa i përket ndërtimit të institucioneve demokratike të cilat janë përfaqësuese dhe mirë-funksionuese. Projekti synon të zhvillojë Parlamentin për ta kthyer në një institucion me performancë më të mirë. Projekti ynë është përfshirës për të gjithë aktorët politikë”, – tha ambasadori zviceran Adrian Maître.
“Është kënaqësi që arritëm sot nënshkrimin e marrëveshjes për projektin mbi mbështetjen ndaj Kuvendit. Falënderim i veçantë për partnerët tanë në këtë iniciativë, Ambasadën e Zvicrës për kontributin e dhënë dhe OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pandërprerë kundrejt Parlamentit shqiptar”, tha ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka qenë partneri më i afërt i Kuvendit të Shqipërisë dhe i popullit shqiptar përmes sfidave që kanë, dhe do të mbetet një mbështetëse e fortë e institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë teksa ata përballojnë detyrat parësore për një demokraci funksionale”, – tha kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt.
Sipas marrëveshjes, puna do të ketë si fokus një administratë parlamentare më efiçiente dhe më efektive, përmirësimin e rolit legjislativ, përfaqësues dhe mbikëqyrës të Parlamentit, dhe aktivizimin e qytetarëve në lidhje me Parlamentin. Projekti quhet ‘Mbështetje për Parlamentin dhe Edukimin Civil në Shqipëri’ – PACEP – dhe do të sigurojë ekspertizë dhe asistencë me synim përmirësimin e funksionimit të institucionit më të lartë legjislativ në Shqipëri.
Që nga krijimi i saj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka punuar për të promovuar demokratizimin, sundimin e ligjit, dhe të drejtat e njeriut si dhe për të konsoliduar institucionet demokratike në linjë me parimet, standardet dhe përkushtimet e OSBE-së. Mbështetja për Parlamentin konsiderohet si një përpjekje tej-përshkuese dhe tej-programatike në mbështetjen që OSBE i jep Shqipërisë, përfshirë fushat e ligjbërjes, reformën legjislative, procedurat parlamentare dhe forcimi i kapaciteteve, reforma zgjedhore, përfshirja e qytetarëve, barazia gjinore dhe promovimi i qeverisjes vendore.
Projekti i ri është pjesë e Strategjisë së Bashkëpunimit Zviceran 2018-2021 dhe është hera e parë që mbështetja zvicerane shtrihet edhe për organin legjislativ më të lartë në vend. Financimi vjen nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.