Trump: bisedimet tregtare SHBA – Kinë pritet të rifillojnë
Presidenti amerikan Donald Trump thotë se pati një bisedë telefonike pozitive me presidentin kinez Xi Jinping të martën dhe se ka në plan të zhvillojë bisedime tregtare me të javën e ardhshme në takimin G-20, të udhëheqësve të ekonomive më të mëdha të botës, në Japoni.
Agjencia shtetërore kineze e lajmeve, Xinhua, tha se zoti Xi i kishte thënë zotit Trump se ishte e rëndësishme që diskutimet midis dy ekonomive më të mëdha të botës të zhvilloheshin mbi baza të barabarta, por se të dy vendet do të ishin të humbur duke luftuar.
“Çështja kryesore është të konsiderojmë shqetësimet e ligjshme të njëri-tjetrit,” tha zoti Xi. “Pajtohem se ekipet ekonomike dhe tregtare të të dy vendeve do ta mbajnë komunikimin në përpjekje që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet” tha ai.
Presidenti Trump shkroi në Twitter, “Patëm një bisedë telefonike shumë të mirë me Presidentin Xi të Kinës”. Ai shtoi se “ekipet përkatëse do të fillojnë bisedimet para takimit tonë”.
Bisedimet tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë patën ngecur javët e fundit, pikërisht në momentin kur u duk se ishte e mundur arritja e një marrëveshjeje. Uashingtoni fajësoi Kinën për tërheqje nga dispozitat tregtare, për të cilat mendonte se palët kishin rënë dakord, por Pekini e kundërshtoi këtë interpretim.
Në muajt e fundit, Uashingtoni dhe Pekini kanë vendosur tarifa prej qindra miliarda dollarësh ndaj eksporteve të njëri-tjetrit. Zoti Trump madje kërcënoi se di t’i shtonte tarifat ndaj mallrave kineze me një vlerë prej 325 miliardë dollarësh.
Tregjet e aksioneve reaguan menjëherë pozitivisht pas njoftimit për komunikimin e të dy udhëheqësve.
Fraksion.com