Tensionet në KZAZ-të; Qeveria shkrin policitë bashkiake
Qeveria ka vendosur që të shkrijë disa nga policitë bashkiake në bashki që drejtohen nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Vendimi është bërë i ditur nga Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm, i cili akuzoi policitë bashkiake se kanë dalë kundër misionit të tyre dhe janë kthyer në rrezik publik.
Ministri i brendshëm Sandër Lleshaj pas situatave të rënda në disa qarqe ku u sulmuan KZAZ-të, tha se do të shkrihet policia bashkiake që është vënë në shërbim të kryebashkiakëve të PD-së dhe LSI-së duke kërnuar sigurinë e vendit. Në një deklaratë për mediat, Lleshaj tha se do të ndëshkohen të gjithë për krime elektorale.
“Shfaqje brutale e dëshpërtimit politik të kthyer në akte kriminale që do të ndëshkohen me gjithë forcën e ligjit. Policia e Shtetit po provokohet dhe sulmohet, do të përgjigjet me vendosmëri deri në fund. Punonjës bashkish, dhe punonjës të policive bashkaike po gabojnë rëndë duke u përdorur si mish për tob nga kryetarët e bashkive dhe udhëheqësit e tyre dritëshkurtër në Tiranë. I bëj thirrje të mos bëjnë krime elektorale të dënueshme nga Kodi Penal, për interesat e një grupi njerëzish në halle me drejtësinë që duan të marrin peng zgjedhjet për të bllokaur rrugën integruese. Do të shkrihen disa struktura të policive bashkiake që kanë dalë jashtë misionit të tyre dhe janë kthyer në rrezik publik. Askush nuk do të tolerohet. E gjithë kjo shfaqje nuk do të cënojë aspak rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Policia e Shtetit është në krye të detyrës”, tha ministri Lleshaj