AktualitetPolitikëTë fundit

Përfaqësuesit e PD-së djegin materialet zgjedhore në shkollë në Shkodër

Pas dy ditëve konflikt dhe përplasje, situata në Shkodër është përshkallëzuar në lidhje me dekretin e Presidentit Meta që anulon zgjedhjet e 30 qershori. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike i vendosën flakën njërës prej klasave të shkollës “Shejnaze Juka”, mbrëmjen e së martës, aty ku ndodheshin edhe materialet zgjedhore të KZAZ-së nr 3, gjysma e të cilave u dëmtuan.
Përfaqësues të PD-së dhe Bashkisë Shkodër u përplasen me forcat e FNSH-së, ashtu siç edhe ndodhi gjatë ditës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” .Bashkia e Shkodrës kërkon lirimin e mjediseve ku janë vendosur KZAZ-të dhe materialet zgjedhore, pasi dekreti i Presidetit ka anuluar 30 qershorin.

Pas kësaj ngjarje Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj iu bëri thirrje qytetarëve të Shkodrës të distancohen nga dhuna.

“Përpjekje e turpshme e përfaqësuesve të PD për të djegur një shkollë në Shkodër. Ftoj qytetarët e Shkodrës që të distancohen nga ky turp i pamasë dhe të izolojnë bijtë e dhunës. Asnjë drejtues bashkie nuk mund të mbajë me dhunë dhe me zjarr mandatin që tashmë po mbaron. Nuk ka asnjë mundësi që dhunuesit t’i shpëtojnë ligjit. Pushteti mund të mbahet vetëm me votën e qytetarëve”, deklaron Lleshaj.

E ashpër ishte edhe Jozefina Topalli, ish kryetare e Kuvendit dhe ish deputete e Shkodrës. “Djegia e shkollës nuk është historia e Shkodres. E kunderta është historia e këtij qyteti.

Kjo nuk ka ndodhur kurrë në 3 dekada. Një demokrat nuk djeg as mandate as shkolla. Një demokrat i vërtetë nuk hedh as molotov as ka frikë nga zgjedhjet. Demokratët nuk kanë patur frikë në ‘97 kur gjysma e territorit kontrollohej nga bandat”, thotë Jozefina Topalli.

Sipas ish nënkryetares së partisë demokratike ndër vite, “Nuk largohet Rama duke refuzuar parimet e vlerat e democracisë. Partia demokratike lindi si ëndërr e lirisë dhe e të drejtës me votu. Ai që mendon se do pengojë të drejtën e votës nuk është demokrat.

Shqiptarët duan paqe. 3 milion shqiptarë nuk mund të mbeten gjatë peng të 4-5 veteve”, thotë Jozefina Topalli pas ngjarjes në Shkodër mbrëmjen e së martes.

Incidente gjatë të martës u shënuan edhe në Tropojë. Siç raportohet disa persona kanë hyrë në KZAZ-ja numër 9 duke larguar materialet zgjedhore./TCH

Fraksion.com