AktualitetPolitikëTë fundit

“PD hedh shashka dhe nxit njerëz për dhunë”; Gjiknuri: PS s’ble vota e s’gënjen njerëz

Drejtuesi politik i PS në qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri gjatë një takimi në qytetin bregdetar ka theksuar se Partia Demokratike nuk kërkon zgjedhje, por kërkon të hedhë shashka për të nxitur dhunë.

Duke folur për audio-përgjimet e publikuara nga “Bild”, Gjiknuri, nënvizon se bisedat janë mëse normale mes anëtarëve të një partie politike, që ka objektiva elektoralë për të arritur. Ai garantoi se PS nuk ble vota.

“Ne as blejmë vota e as gënjejmë njerëz. Ata (PD) nuk kanë përfaqësi fare në Vlorë, ata e mendojnë Vlorën në xhep pa qenë këtu. Pra, praktikisht këtë bëjnë në gjithë Shqipërinë dhe kjo është arsyeja pse goditem unë, pse goditet Edi Rama, pse goditen figurat kryesore të Partisë Socialiste”, – theksoi Gjiknuri.

“Ata (PD) nuk kërkojnë zgjedhje, ata mjaftohen duke hedhur këto lloj shashkash të gatuara në kuzhinën e Partisë Demokratike dhe duan të nxisin njerëz për dhunë. Ne nuk do t’i lejojmë. Ne jemi vërtet përfaqësuesit e denjë të Vlorës ndaj Vlora na voton”, – theksoi Gjiknuri.

Ish-ministri gjithashtu vuri në dukje dhe punët e realizuara nga qeveria dhe Bashkia në Vlorë.

“Kush ka bërë më shumë për Vlorën se sa ka bërë Partia Socialiste? Investime të mëdha edhe në rrugë qoftë me Bypass-in që do të përfundojë shumë shpejt, me qytetin e Vlorës që është transformuar apo investimet në energji elektrike. Këto punë të mira do të vazhdojnë”, – nënvizoi Gjiknuri.

“Fushën e lojës nuk e braktisëm ne por e braktisën ata, nuk i kemi lënë asnjë shkak të braktisin fushën e lojës. Ata duan të tërhiqen nga gara dhe kërkojnë përmbysjen me dhunë të pushtetit, duan ta mbajnë Shqipërinë larg Europës.”, – tha Gjiknuri

“Akuzojnë Kryeministrin e Shqipërisë për një bisedë krejt normale se thotë “A arrite objektivin?!”. -Po!..” Po, mor po, Ne jemi parti me objektiva elektoral! I vendosim vetes qëllime elektorale dhe i arrijmë. Kemi mbështetje, kemi njerëz dhe kemi struktura. Ne jemi ata që as na blen e as na shet njeri”, – shtoi ai.

“Por po, ka një gjë që e blen shpirtin vlonjat është fjala e mbajtur dhe puna e bërë”, – theksoi Gjiknuri, duke kërkuar nga vlonjatët që në 30 qershor ti japin votëbesimin e tyre kandidatit socialist për kryetar bashkie në Vlorë.

 

Fraksion.com