Para 30 qershorit, është 20 qershori
Nga Sokol Balla
Sipas të gjitha gjasave të enjten në Tiranë do bëjë shumë vapë. Jo në temperatura por në zyrat e pushtetit. Nga Ajo e Metës, te ajo e Ramës, te ajo e Bashës te ajo e Arta Markut dhe sigurisht ajo e Sandër Lleshit. Të gjithë këta njerëz me pushtet, janë të dënuar të enjten, të luftojnë me veten, me ligjin dhe me precedentët e paraardhësve.
Ilir Meta është një hap para të gjithëve. Ai tashmë ka nisur një betejë pa kthim me maxhorancën, ndërkombëtarët por edhe sfidë me ligjin dhe kushtetutën. Meta ka nxjerrë tashmë në rrugë jo vetëm opozitën, por edhe pushtetin lokal të saj. Ai ka sfiduar tre herë kushtetutën, dhe të enjten pritet ta cojë deri në fund: të përpiqet të nxjerrë një dekret të ri për zgjedhjet. Jashtë cdo afati kushtetues dhe të Kodit Zgjedhor.
Por të enjten ai do të thërrasë edhe Edi Ramën, ndoshta sa për sy e faqe, por do ta bëjë. Të hënën në Real Story Taulant Balla la qartë të kuptohet se për zgjedhjet ska ctë diskutojë me Metën dhe se PS nuk do ti përgjigjet një ftese të tij. Kjo do të jetë hera e parë që një lider kryesor politik refuzon ftesën e Presidentit. Një e tillë ska ndodhur as në vitin 1997, kur dukshëm opozita quante fajtor presidentin Berisha për krizën. Berisha nuk refuzoi as Moisiun dhe as Topin, sa herë mori ftesë, përjashto situatën e 21 janarit. Vetë Rama nuk e refuzoi thuajse asnjëherë Nishanin, sa edhe kur s shkontec vetë, conte Taulant Ballën.
Të enjten edhe Lulzim Basha është në sfidë me precedentët e vet. Ai asnjëherë, përfshirë edhe këtë fillim jave, ai nuk është përballur me drejtësinë. Me raporte mjekësore, me vizita jashtë shtetit apo me argumente avokatësh, ai është shmangur gjithmonë të fërkohet fizikisht me muret e Pallatit të Drejtësisë. Por të enjten ai duhet të përballet me një tjetër precedent: atë të mosndëshkueshmërise qoftë dhe proceduriale. Prokuroria thotë që do ta marrë atë me forcë si të pandehur për të dëshmuar. Kjo nuk ka ndodhur kurrë.
Dhe kjo është sfida e Arta Markut dhe institucionit të saj. Prej pesë vjetësh flasim për Reformën në Drejtësi dhe mundësisë që më në fund të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. E enjta është një test i vërtetë i kësaj reforme dhe bie mbi shpatullat delikate të zonjës Marku. Ina Rama nuk e mbajti dot këtë peshë. As Dhori Sollaku që fshihej pas fustanit të ligjit. Paradoksalisht njeriu më i anatemuar në historinë e Prokurorisë, Adriatik Llalla, coi para drejtësisë një ish ministër demokrat dhe një socialist. Tani zonja Marku, meqë ka kërkuar nga e përkohshme, të jetë kryprokurore e përhershme, ka mundësinë të na tregojë të enjten jo vetëm se e kërkon, por se e meriton këtë post.
Ndërkohë temperatura e lartë, edhe nga flakët në Shkodër dhe Tropojë, është edhe në zyrën e Sandër Lleshit. Ai me një qetësi olimpike menaxhoi pesë muaj protesta dhe si një orakull flokëbardhë doli të martën dhe tha se dhuna do ndëshkohet. Për momentin po e përqesh para kamerave dhe pas krahëve Voltana Schëarzenneger. Edhe Lleshi është në test të fortë tashmë me veten e tij por dhe precedentin. Asnjë ministër i brendshëm nuk ka thënë atë që ka thënë Lleshi në raste të ngjashme. Në 28 maj 1996 kur policët rrihnin opozitën, ne sfidë të hapur me Berishën, Agron Musaraj bnënte xhiro para Galerisë me… kryeministrin Meksi.
Belul Cel në 1997 mori arratinë por nuk zbatoi urdhëra për dhunë. Lulzim Basha në 21 janar tkurrej tek zyra e Olldashit, por nuk dha urdhër për të shtënë mbi protestuesit. Ia delegoi në heshtje Berishës.
Në 20 qershor gjithë këta precedentë mund të konfirmohen ose të thyhen. Prokuroria mund të bëjë për herë të parë një akt force ligjore mbi politikanët që deri sot mendojnë se mund të jenë mbi ligjin. Basha mund të shkojë vetë në Prokurori, ose Meta mund ti ofrojë mbrojtje si Ambasada e Ekuadorit për Julian Assange. Rama mund të refuzojë të shkojë te Meta dhe të lërë gjithcka të rrjedhë natyrshëm drejt kaosit që ndoshta nuk nisi për faj të tij, por që nëse përshkallëzohet dhe ai s e ndalon, nuk mund të shmanget nga përgjegjësitë. As ministri i tij që thotë se do arrestojë fajtorët e prishjes së zgjedhjeve dhe se nuk do të kenë dhunë në 30 qershor. Sepse do ishte gënjeshtër. Sepse dhunë po ka e do ketë që në 20 qershor. Ose së paku një ditë më vonë në protestën e opozitës.
Të enjten me 20 qershor do përjetojmë një provë të përgjithshme, jo të 30 qershorit, por përbslljen mes të shkuarës dhe të ardhmes ende të panjohur drejt së cilës po drejtohemi symbyllur dhe vetëm. Na kanë lënë në fatin tonë. Më shumë se kurrë këtë do ta provojmë të enjten e fortë të 20 qershorit./ Rrealstory
Fraksion.com