Del pas gjysmë ore; Bashës i komunikohen akuzat nga Prokuroria e Tiranës
Kryedemokrati Lulzim Basha qëndroi afro gjysmë ore në Prokurorinë e Tiranës, ku u thirr për tu pyetur për lobimin rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2017.
Kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës iu komunikuan sot dy akuza që rëndojnë ndaj tij për çështjen e quajtur si “Dosja ruse”.
Menjëherë sapo doli nga ambientet e Prokurorisë së Tiranës, Basha theksoi se thirrja është bërë me qëllim shpërqendrimin e qytetarëve nga skandalet e Qeverisë, të publikuara nga gazeta Bild. Ai theksoi se nuk ka asnjë fakt apo provë kundër tij për kontratat e lobimit.
Falsifikim dokumentash dhe pastrim parash janë dy akuzat që rëndojnë mbi kryeopozitarin, i cili ripërsëriti se procesi është montuar në zyrën e kryeministrit.
“U njoha me akuzën që nuk është akuzë sepse nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë dokument të falsifikuar, asnjë rus të vetëm, nuk ka asgjë, është një akuzë e formuluar për t’ju shpërqendruar juve”, tha Basha.
“Dosjen do ma vënë sot në dispozicion sepse nuk e kanë gati”, shtoi ai.
I pyetur përse vendosi të paraqitej sot në Prokurori dhe jo disa ditë më parë kur iu bë kërkesa e parë, Basha tha: “Atë ditë nuk zbatuan ligjin, ndërsa sot kishin për qëllim që të unë të përdoresha si shpërqendrim (shoqërimin me forcë), por jam i bindur se do të dështojnë.”
Dy ditë më parë, Basha e konsideroi të jashtëligjshme kërkesën e Prokurorisë për t’u marrë në pyetje dhe refuzoi të paraqitej. Por organi i akuzës iu kundërpërgjigj duke urdhëruar shoqërimin e tij me forcë.
Ditën e djeshme ishte Arben Ristani, ish-Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, gjithashtu i akuzuar në këtë çështje, që u paraqit para prokurorëve. Atij iu komunikuan të njëjtat akuza si ato që rëndojnë ndaj Bashës.
Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e dy viteve të shkuara kur firma amerikane ‘Muzin Capitol Partners’, plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kësaj kompanie, ajo kishte marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.
Nga deklarimet e firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.