Irani pritet të tejkalojë kufirin e rezervave të uraniumit
Një zëdhënës i organizatës iraniane të energjisë bërthamore tha të hënën se vendi i tij do ta kalojë së shpejti kufirin e sasisë së uraniumit të pasuruar që lejohet të ketë sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare të vitit 2015.
Ai tha se Irani do të ishte i hapur për ta respektuar këtë kufi, nëse ndihmohet të shmangë sanksionet amerikane ndaj industrisë së tij të naftës.
Në komentet e bëra për gazetarët në televizionin shtetëror, Behrouz Kamalvandi tha se në 27 qershor rezerva e uraniumit të pasuruar do ta kalonte kufirin e lejuar prej 300 kilogramësh.
Por ai tha se Irani do të ishte i hapur për ta respektuar këtë kufi, nëse merr ndihmë nga nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes për të shmangur sanksionet e SHBA ndaj industrisë së tij jetike të naftës.
Në bazë të marrëveshjes së vitit 2015, Irani pranoi të kufizonte programin e tij bërthamor, për të zbutur shqetësimet rreth programit të tij të dyshuar të armëve bërthamore. Si shkëmbim, atij iu lehtësuan sanksionet ekonomike që e kishin dëmtuar rëndë ekonominë e tij.
Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja vitin e kaluar, duke bërë që Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Gjermania të kërkonin vetë mënyrat se si do ta mbanin gjallë marrëveshjen me Iranin.
Në fillim të majit, Presidenti Hassan Rouhani tha se Irani, si kundërpërgjigje ndaj tërheqjes së njëanshme të SHBA nga marrëveshja, nuk do të respektonte më kufizimet që i ishin vënë për rezervat e uraniumit të pasuruar dhe ujit të rëndë, siç ishte rënë dakord në vitin 2015.
Uashingtoni më pas vendosi sanksione të reja ekonomike ndaj Teheranit në shpresën për negocimin e një pakti të ri me Teheranin.
Por agjencia e OKB-së për mbikëqyrjen bërthamore thotë se Irani ka vazhduar të përmbushë kushtet e marrëveshjes.
Të hënën, Presidenti Rouhani tha se marrëveshja ende mund të shpëtohet.
Një armik kryesor i Iranit, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të rivendosë sanksionet kundër Iranit nëse ai shkel marrëveshjen për rezervat.
Irani ankohet se vendet e tjera nuk kanë bërë sa duhet për ta ndihmuar atë të gëzojë përfitimet ekonomike nga lehtësimi i sanksioneve për sa kohë që ai u përmbahet kufizimeve të programit bërthamor si përsa i përket sasisë së uraniumit që mund të posedojë ashtu edhe nivelit në të cilin mund të pasurohet materiali.
Këto zhvillime vijnë pas sulmeve ndaj dy cisternave të naftës javën e kaluar në rajon, për të cilat SHBA kanë fajësuar Iranin. Ndërkohë, tensionet mes dy vendeve kanë arritur një pikë tjetër të lartë, një vit pasi presidenti Dondal Trump i tërhoqësi SHBA nga marrëveshja bërthamore për Iranin.