AktualitetPolitikëTë fundit

Euroaktiv: Meta, gjithçka që Shqipëria të mos anëtarësohet

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të takohen sot, më 18 qershor, dhe sërish Ballkani, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, do të jetë një temë e nxehtë në axhendën e takimit.

Në një analizë të botuar nga faqja prestigjioze “Euroaktiv”, Denis MacShane, ministër britanik për Ballkanin në qeverinë e ish-kryeministrit Tony Blair, i cili e viziton dhe shkruan rregullisht për rajonin tonë, pasi sjell një panoramë të situatës në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut thotë se “të gjitha këto probleme janë të menaxhueshme, por presidentët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë duket se po bëjnë më të mirën e tyre për të nxjerrë nga binarët shpresat e anëtarësimit në BE”.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski erdhi në Bruksel javën e kaluar dhe tha që Shqipëria duhej veçuar nga Maqedonia e Veriut në mënyrë që vetëm Shkupi të privilegjohej për të nisur bisedimet e anëtarësimit.

“Duke pasur parasysh faktin se kryeministri socialist i shkolluar në Francë, Edi Rama i ka mbështetur fuqimisht përpjekjet e socialdemokratëve të Shkupit në garën përballë ultranacionalistit Nikola Gruevski, i cili e mbushi Shkupin me statuja madhështore të Aleksandrit të Madh, sikur heroi i antikitetit grek të ishte një sllav i Ballkanit, thirrja e Pendarovskit për të anashkaluar Tiranën ishte një akt mosmirënjohjeje politike edhe për normat e Ballkanit”, shkruan McShane.

“Megjithatë, ai ka edhe ndihmën e kolegut të tij, Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Dikur ai ishte mik i Edi Ramës si një nga reformatorët e rinj të Partisë Socialiste të Shqipërisë të cilët kundërshtuan hapur konservatorin Sali Berisha, i cili ishte ideatori i skandalit të skemës piramidale që shkatërroi kursimet e shumë shqiptarëve dhe bëri shumë pak përpjekje për të luftuar korrupsionin kronik në gjyqësor dhe biznes, që mbizotëroi në Shqipërinë postkomuniste për 20 vite me radhë”, analizon McShane.

Por Meta krijoi partinë e tij – tani e udhëhequr nga bashkëshortja e tij – dhe iu desh të dorëhiqej më turp si zëvendëskryeministër në vitin 2010 lidhur me akuzat – të cilat ai i mohon – në lidhje me një bisedë për një pagesë jo të rregullt prej 800 000 €. Rama shpresonte se  duke e bërë shokun e tij të vjetër president – një pozicion i zgjedhur nga parlamenti – në 2017 do të kishte një aleat, pasi Meta ka qenë gjithmonë shumë i angazhuar në integrimin e Shqipërisë në institucionet euroatlantike, si BE dhe NATO.

Megjithatë, Meta ka vendosur të bëhet aleat me Partinë Demokratike në opozitë e drejtuar nga krahu i djathtë i Berishës, Lulzim Basha. Në një përditësim klasik të strategjisë së vjetër të tensionit politik, Basha udhëhoqi deputetët e tij në bojkotin e parlamentit në shkurt dhe organizoi protesta në rrugë, të cilat në disa raste ishin edhe të dhunshme.

Bashkëshortja e presidentit, së bashku me partinë e vogël të themeluar nga bashkëshorti i saj, mbështeti këtë përpjekje primitive për të destabilizuar qeverinë. Që nga shkurti Basha ka organizuar protesta të pafundme në rrugët e Tiranës, si përpjekje për të treguar se Shqipëria nuk është më nën kontrollin e qeverisë.

Basha akuzoi edhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Frederica Mogherini, se po flet gjepura kur ajo u bën thirrje deputetëve shqiptarë për të miratuar reforma për rivlerësimin e gjyqtarëve në kuadrin e përgatitjeve për anëtarësim në BE.

Basha gëzon mbështetjen e të djathës ekstreme në SHBA dhe përdor një foto të tijën me Donald Trump në të gjitha mediat sociale, si dhe të kujton sulmet alla-Trump ndaj çdo medie në Shqipëri që guxon ta kritikojnë atë. Prokurorët në Tiranë nisën një hetim për një pagesë misterioze prej 625 000 dollarësh që Basha i ka paguar lobistëve amerikanë për një shtrëngim duarsh me Trump.

Meta mbështeti strategjinë e tensionit të Bashës duke njoftuar se, si president do të pezullojë zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në fund të qershorit. Arsyeja që ai dha është se partitë e opozitës, përfshirë atë të drejtuar nga bashkëshortja e tij, do t’i bojkotojnë ato.

Qëllimi ishte i qartë – të paraqiste një imazh të Shqipërisë si të paqëndrueshëm dhe të padenjë për t’u parë si një shtet anëtar i mundshëm i BE. Rusia është akuzuar për ndërhyrje për të ndaluar ndryshimin e emrit të Maqedonisë së Veriut, gjë që çoi Athinën në dëbimin e diplomatëve rusë. Gjëja e fundit që Kremlini dëshiron, është të shohë Ballkanin Perëndimor që të stabilizohet dhe të shndërrohet në vende të varfra, por normale të BE-së.

Rama po lëviz që parlamenti shqiptar ta heqë Metën nga posti i presidentit, pasi ai ka abuzuar ashpër me pushtetin e tij në mbështetje të një përpjekjeje partiake për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur. Por, tani, në këtë rrëmujë është përfshirë presidenti i Maqedonisë së Veriut me kërkesën që Brukseli ta shpërblejë politikën e Bashës për destabilizimin e Shqipërisë nëpërmjet një strategjie klasike të tensionit duke përdorur rrugën për të hedhur poshtë parlamentin e zgjedhur.

Pyetja tani është: A e mban fjalën e saj BE-ja ndaj Tiranës dhe Shkupit, apo Brukseli – jo për herë të parë – do ta lerë Ballkanin Perëndimor pa dikë që ta ndihmojë?” – përfundon analizën e tij, McShane./Atsh

 

Fraksion.com