AktualitetKosovaTë fundit

E kërkon SHBA për shkak të prostitucionit? Kush është 82 vjeçari

Periudhën që e kaloi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ilegalisht, 82-vjeçari Ramiz Bordoniqi nga Komuna e Gjakovës ia pa sherrin pas disa viteve. I njëjti pas një kërkese të SHBA‘së,  që u përcoll nga INTERPOL-i, u arrestua në shtëpinë e tij, nën dyshimet për mundësim ose detyrim në prostitucion, blerje, posedim, shpërndarje apo shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, shkruan Gazeta Express.

Dyshimet janë se Bordoniqi kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1998, duke qëndruar aty në mënyrë ilegale, që nga janari i atij viti e deri në shtator të vitit 2001.

Për këto tre vite, ai dyshohet se e ka ndihmuar vëllain e tij për të zhvilluar një ndërmarrje të prostitucionit dhe narkotikëve në Fair Banks në Alaska.

82-vjeçari u arrestua në Gjakovë ditë më parë, derisa dje, Prokuroria Themelore e Gjakovës bëri kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

“Prokurori i rastit ka konsideruar se në bazë të Ligjit për Bashkëpunim Juridik dhe Ndërkombëtar në çështjet penale dhe në bazë të marrëveshjes mbi ekstradim në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, janë plotësuar kushtet për ekstradim,  prandaj ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 40 ditësh”, thuhet në njoftimin që ka lëshuar prokuroria përkatëse për këtë rast.

Ai ishte larguar nga Amerika pasi që dyshohet se ka kryer të gjitha këto vepra për të cilat është vënë edhe në kërkim ndërkombëtar.

Gjatë arrestimit i njëjti, ka kundërshtuar policinë që po kryente aksionin, duke thënë se për të gjitha veprat për të cilat dyshohet nuk ka qenë ai fajtor, mirëpo një shok e vëllai i tij.

Ai që disa vite është në pension, mirëpo, pas kthimit nga Amerika kishte punuar në Gjakovë në një biznes familjar si mekanik i makinave rrobaqepëse.

Për këtë temë, Express ka kontaktuar edhe ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin që ditë më parë ka nënshkruar protokollin për marrëveshjen e ekstradimit mes Kosovës e SHBA-së.

Tahiri tha se deri më tani ende nuk ka marrë ndonjë vendim nga Gjykatat në Kosovë për ekstradim të ndonjë personi, derisa ka sqaruar se pasi që lënda dorëzohet në prokuroritë përkatëse, këto të fundit vendosin përmes gjykatës nëse personi në fjalë ekstradohet për në Shtetet e Bashkuara.

“Përmes gjykatave kalojnë, deri më tani ende nuk kam marrë vendim nga ndonjë Gjykatë se është vendos që me u ekstradu ndonjë person për në SHBA. Lënda fillimisht vjen nga Amerika kërkohet një person, tregohen veprat për të cilat dyshohet, akuzat. Pasi që të njëjtat kalojnë në prokurori e gjykata, procedohet, edhe mbrohet e në fund vendos gjykata nëse do të ekstradohet për në SHBA apo jo”, tha ministri Tahiri.

Ndryshe, në Kosovë, ditë më parë u arrestua edhe biznesmeni kosovar, Imer Shahini, ky nën dyshimet se ka kryer mashtrime milionëshe.

Ai dyshohet se bën pjesë në mesin e shtatë personave të akuzuar nga FBI-ja për përfitim të jashtëligjshëm dhe mashtrim në Distriktin Jugor të New York-ut. Ai në bashkëveprim me gjashtë persona të tjerë, disa prej tyre tashmë të arrestuar, akuzohen se ilegalisht kanë përfituar 20 milionë dollarë përmes mashtrimeve.

Me kërkesë nga SHBA’të është arrestuar edhe Binak Gjergjaj. Binak “Kolë” Gjergjajnnga Deçani u shpall në kërkim pas dyshimeve se në vitin 2001 ka vrarë gruan e tij, Afërdita Gjergjajn.

Aferdita Gjergjaj, ish-bashkëshortja e Binak Gjergjajt, u zhduk më 26 shkurt të 2001, pasi ishte takuar me Binak Gjergjajn në Miçigan ku edhe do të diskutonin për kujdestarinë e fëmijëve.

Protokolli i instrumenteve për Ratifikimin e Marrëveshjes së Ekstradimit në mes të Kosovës e SHBA-së u nënshkruar ditë më parë nga Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri dhe Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer.

 

Fraksion.com