AktualitetTë fundit

Dosja “Hajdari”; Izet Haxhia kërkon ndryshimi i masës së sigurisë

Gjykata e Tiranës zhvilloi sot seancën e parë për rigjykimin e Izet Haxhisë, ku nga mbrojtja u kërkua ndryshimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”.

Kërkesa do të shqyrtohet nga Gjykata në një moment të dytë, ndërsa seanca e sotme dështoi pasi Prokuroria kërkoi kohë të njihej me aktet e dosjes.

Avokatit Idajet Beqiri kërkoi lirimin e të pandehurit, që asnjëherë nuk i ka pranuar akuzat, me argumentin se Haxhiaj ka kryer 13 vite paraburgim që nga koha kur është arrestuar në Turqi, të cilat konvertohen në 20 vite burgim.

Ndërkaq, seanca e ditës së sotme u shty me kërkesë të prokurorit Dritan Nushi për t’u njohur me aktet e dosjes ‘Hajdari’.

Seanca e radhës është lënë të mbahet më 5 korrik ora 12:00. Trashëgimtarët e Azem Hajdarit nuk ishin të pranishëm në seancë. Gjykata tha se nuk dihet nëse familjarët kanë marrë dijeni apo jo për zhvillimin e kësaj seance.

Ish-truproja e Sali Berishës, akuzohet si autori i vrasjes së Azem Hajdarit, dhe është dënuar me 25 vite burg në munges.

 

Fraksion.com