Braçe: Partia Socialiste nuk ka fituar kurrë duke blerë vota
“Partia Socialiste nuk ka fituar kurrë duke blerë vota”, është shprehur zv/kryeministri Erion Braçe.
“Kurrë! Sepse nuk blihen 1 milion vota! Sepse nuk blihen as 100 mijë vota! Kush është marrë me zgjedhjet. Unë kam 23 vite që merrem me to, e di fare mirë këtë! Ndaj dua të them dy gjëra për dy kategori gojëtarësh të zëshëm këto kohë”, ka thënë Braçe.
E para, ka theksuar ai, “për kategorinë që përfaqësohet nga “Gagaçi Mendor” e që tipizon të gjithë këta gjahtarët urrejtjes të socialistëve që çdo darkë janë në TV e çdo mëngjes janë në gazetat e TV-vë: Të hetohet gjithçka që ka të bëjë me zgjedhjet e 2016-tës e zgjedhjet e 2017-tës! Madje të ishte hetuar në kushtet e flagrancës, mu siç ligji thotë”.
“Nuk ka ndodhur! Të hetohet tani, e gjithë “masakra” që thoni ju e që nuk egziston. Të hetohet tani, i gjithë krimi i dhunshëm i disa bandave të krimit politik në Dibër e ardhur aty që është i dokumentuar! Mbi bazë të provave e fakteve, vetëm mbi bazë të tyre e jo mbi bazë të analizës së fjalëve që “Gagaçi Mendor”, me vështirësinë e gagaçit i deformon, tjetërson duke i kthyer në shpifje banale që ulërasin për të vrarë të vërtetën!”, ka shtuar Braçe.
“E dyta, për kategorinë e shantazhuesve, bërë të gjithë bashkë, nga prokurorët politikë të partisë, partive deri tek “Gojë Pushka” që do na vrasë e presë të premten në darkë. Së pari, për këta dy prokurorët që kanë ndërtuar këtë strategji shpëtimi për vete e shantazhi për socialistët: Nuk shantazhohet Partia Socialiste! Është aq e madhe dhe e fortë, sa nuk ua merr mendja! Ka një arsye, fuqia që ka prej njerëzve të zakonshëm, fuqia prej popullit”, është shprehur Braçe.
Pikërisht se është kështu, ka theksuar Braçe, “kur kjo parti vendos nuk kthehet pas. Ka vendosur për Reformën në Drejtësi dhe do shkojë deri në fund, drejtësi e barabartë tani! Nuk ka kohë tjetër, as për ne e as për ju!”
“Drejtësi e barabartë tani, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj politikanëve të korruptuar, por edhe ndaj prokurorëve të korruptuar e partiakë, plotë të tjerëve që kurrë nuk ishin të barabartë para ligjit, siç Kushtetuta thotë. Për t’i dhënë fund ciklit të krizave që po e mbajnë peng këtë vend për shkak të pandëshkueshmërisë, mungesës së Drejtësisë së njëjtë për të gjithë. Së dyti për “Gojë Pushkën”, ne nuk vrasim, por edhe s’lëmë kënd të na vrasë!”, ka nënvizuar Braçe.
Fraksion.com