AktualitetKosovaTë fundit

BE-ja diskuton për zgjerim, Kosovës i kërkohet heqja e taksës

Këshilli për Çështje të Përgjithshme në Bashkimin Evropian po diskuton të martën në Luksemburg çështjen e zgjerimit të bllokut evropian.

Në paketën e zgjerimit të publikuar nga Komisioni Evropian javë më parë, Kosova është kritikuar për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind në importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, derisa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë rekomandim pozitiv të hapje të bisedimeve.

Shqipërisë i është dhënë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2014 derisa Maqedonisë së Veriut më 2015.

Kësaj të fundit i ishte kushtëzuar hapja e bisedimeve me zgjidhje të kontestit të emrit me Greqinë dhe pas zgjidhjes së këtij problemi, institucionet maqedonase kanë pritur që ky rezultat të kurorëzohet me nisje të negociatave në muajin qershor, mirëpo duket se aktualisht nuk ka pajtueshmëri të të gjitha vendeve anëtare për një gjë të tillë.

Para nisjes së takimit, ministri i Gjermanisë për Çështje Evropian, Michael Roth, ka thënë se Bashkimi Evropian “nuk duhet të humbë besueshmërinë”, kur është fjala për bisedimet për anëtarësim.

Sipas tij, të dyja shtetet, si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut, “kanë përfunduar detyrat” e caktuara nga Brukseli, duke theksuar se Maqedonia e Veriut meriton të përshëndetet për zgjidhje të kontestit të emrit me Greqinë, që ka rezultuar me Marrëveshjen e Prespës më 2018.

Para nisjes së takimit të sotëm, Këshilli Evropian ka publikuar një draft të konkluzioneve sa i përket zgjerimit.

Lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel, është thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të kontribuuar në këtë proces, duke i kërkuar Kosovës që të pezullojë taksën dhe të dyja vendet të frenohen nga ndonjë akt që mund të konsiderohet si provokim.

Sipas Këshillit, dialogu mes këtyre dy shteteve duhet të fillojë sa më shpejt që është e mundur dhe një marrëveshje ligjërisht obliguese duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, dhe t’u kontribuojë stabilitetit rajonal.

Ky dialog njëherësh është konsideruar tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë, në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Dialogu mes dy shteteve ka nisur më 2011. Aktualisht ky proces është bllokuar pasi, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka përmendur taksën si arsyetim për mosvazhdim të dialogut.

Këshilli po ashtu ka theksuar se është në dijeni që procesi i liberalizimit të vizave është proces i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, mirëpo vendimi për të finalizuar këtë proces është ende në fazën e shqyrtimit.

Këshilli ndjen keqardhje për vendimin e Qeverisë së Kosovës për vënie të tarifave 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës, duke e konsideruar këtë hap si shkelje të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) dhe shpirtit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila njëherësh është marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.

Përveç tjerash, Këshilli ka thënë se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë çështje që duhen adresuar nga autoritetet e Kosovës dhe se ky trup është i shqetësuar për ndikimet politike në punësime si dhe për emërimin e personave të dënuar për krime lufte në pozita zyrtare./REL

 

Fraksion.com