Basha: I trishtuar që një votë kushton 4 mijë lekë
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë të posaçme për mediet nga selia e PD, mbrëmjen e së hënës komentoi audiopërgjimet e gazetës “Bild”, për të cilat tha se “si njeriu që për gjashtë vjet rresht është përpjekur çdo ditë t’i bëjë njerëzit të shikojnë atë, që sot është shpalosur hapur para syve dhe veshëve të gjithë botës, do të duhej që sot të ndjehesha mirë dhe i çliruar nga një barrë e madhe”.
Sipas Bashës, pushteti ka ardhur përmes aleancës me çdo keqbërës të mundshëm, nga ata të botës së malavitës tek ata të botës së mercenarëve publikë.
“Pikërisht sot, unë dhe të gjithë demokratët, duhet të ndiheshim të shpaguar për shpërfilljen, përçmimin, sharjet, sulmet, dhe dhunën e padrejtë që është derdhur mbi ne nga të gjitha anët, që nga nga qeveritarët e korruptuar tek interesaxhinjtë, servilët dhe mercenarët e tyre por edhe nga naivët, edhe të pafajshmit dhe të paanshmit që nuk shikonin dot atë që shikonim ne” deklaroi ai
Por, Basha tha se ndjehet keq keq dhe i trishtuar, sipas tij, për gjendjen ku kemi përfunduar si shoqëri, si popull.
“Jam i trishtuar, sepse sot një votë kushton 4 mijë lekë në pazarin e mosbesimit dhe tradhtisë që politika i ka bërë interesave të njerëzve të thjeshtë. Ky është dënimi më i rëndë që mund t’i bëhet politikës, sepse një politikë që ka humbur besimin e njerëzve ka humbur çdo gjë. Ky është dënimi më i madh që mund t’i bëhet një shoqërie, sepse kur politika nuk është më mjet në duart e njerëzve do të thotë se në atë shoqëri nuk ka më liri dhe demokraci”, tha Basha.
Fraksion.com