AktualitetRajoniTë fundit

Kroacia nis të shfrytëzojë fondet evropiane

Kroacia ka pasur për një kohë të gjatë probleme të mëdha me shfrytëzimin e fondeve të BE. Por kohët e fundit gjërat po ndryshojnë. A ka shpërdorime të fondeve?

 Kur kryeministri kroat Andrej Plenkoviq pretendonte të dëshmonte para Presidentit të Komisionit Evropian Jean-Claudeu Juncker se Kroacia është një histori suksesi e anëtarësimit në BE, ata shkuan së bashku në Dubrovnik dhe disa rajone të tjera kroate. Jo rastësisht, sepse fjala është për zonat ku janë investuar më se shumti para nga fondet evropiane. Në këto zona është ndërtuar ura në Peljeshac, projekti më i madh dhe më i shtrenjtë, i financuar nga paratë evropiane – me rreth 357 milionë euro. Ndërkohë që projekti i rindërtimit të portit në Dubrovnik, me kosto prej 158 milionë euro, është në fazën e zbatimit.

Kjo është zona më jugore e Kroacisë dhe njëkohësisht më e izoluara nga pjesët e tjera, por sa i përket investimeve evropiane, atje janë investuar më së shumti para. Ndërsa në fund të listës së zonave që kanë thithur para evropiane janë zonat më të suksesshme dhe më të pasura – si ajo në Split, Dalmaci, Istër, Zarë dhe Varazhdin. Kjo do të thotë se me paratë evropiane vërtet hapen mundësi për zhvillim edhe në zonat periferike. E ky duhet të jetë edhe kuptimi kryesor i investimeve – në zonat më të varfra.

Fillimi i vështirë

Gjendja në Kroaci ka qenë e vështirë sikur në të gjitha vendet tjera, por gjërat po ndryshojnë për të mirë. Me futjen në BE, në vitin 2013, në Kroaci janë hapur mundësi për shfrytëzimin e fondeve të BE, por kjo kërkon shumë njohuri dhe punë. Të nevojshme janë dokumente strategjike dhe mekanizma për zbatimin e projekteve. Ndërkohë që procedurat shpesh janë tepër të komplikuara. Ura në Peljeshac është një shembull i mirë, sepse përgatitja e dokumentacionit dhe procedurat kanë zgjatur me vite të tëra. Ndërkohë që realizimi ka filluar para një viti.

Kroacia ka pasur nevojë për shumë kohë deri sa i ka kuptuar të gjitha procedurat. Përparim i madh është shënuar vetëm vitin e kaluar. Por ekspertët thonë, se Kroacia ende po përballet me probleme të mëdha në shfrytëzimin e parave evropiane. Ekspertët mungojnë në të gjitha fushat, drejtimi i programeve nga ministritë ka mangësi, ndërkohë që ka probleme të mëdha edhe me vetë zbatimin e projekteve në nivelin lokal.

Për periudhën prej vitit 2014 – 2020, Kroacia ka në dispozicion rreth 10,7 miliardë kuna. Janë parashikuar investime në infrastrukturë, energji, ujësjellës dhe kanalizime, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e sipërmarrjeve, shoqërisë civile dhe përparimin e gjendjes në shëndetësi, arsim, çështjet sociale dhe fusha të tjera.

Por në të dhënat zyrtare thuhet, se Kroacia ka shpenzuar më shumë para të vetat sesa para nga fondet evropiane. Ministria për Zhvillim Rajonal ka kumtuar se Kroacia ka paraqitur projekte për 69 % të fondeve të dedikuara për këtë vend, ndërkohë që deri tani janë paguar rreth 24% të mjeteve. Para dy vitesh niveli i pagesave ka qenë vetëm 7,5%, që do të thotë se në dy vitet e fundit është shënuar përparim i madh, por ky vend ende është shumë larg gjendjes ideale.

Pa shpërdorime të mëdha të parave evropiane

Në nivelin lokal dhe atë të vendit ka rreth 8000 sipërmarrje, të cilat janë financuar me mjete të BE. Janë ndërtuar rreth 900 shkolla, 500 kopshte për fëmijë dhe janë meremetuar apo ndërtuar rreth 50 spitale dhe qendra shëndetësore, si edhe 45 projekte kulturore dhe të infrastrukturës. Në Kroaci janë duke u rindërtuar edhe shumë objekte dhe godina publike si edhe projekte energjetike. Paratë e BE janë duke u investuar edhe në bujqësi në zonat e Sllavonisë si dhe për peshkim në Dalmaci.

Shpesh kemi të bëjmë me projekte dhe fonde shumë të mëdha, por në Kroaci deri tani nuk ka pasur raste të shpërdorimeve të mëdha të fondeve, që për këtë vend nuk është edhe e zakonshme. Për këtë fajin e kanë mbase kontrollet e rrepta dhe zbulimi i rasteve të keqmenaxhimit të fondeve para disa vitesh. Këto ditë është publikuar rasti i shpërdorimit të parave në Viroviticë, por pritet që edhe ky rast të sqarohet deri në fund./DW

 

Fraksion.com