AktualitetPolitikëTë fundit

Korça, investimet që e shndërruan në qytetin e preferuar në çdo stinë

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmengjes me pamje nga disa investime të fundit të kryera në Korçë, si  ato në  Parkun e ri të qytetit, dikur fushë e grumbullimit të inerteve, Sallën e Arteve në Bibliotekën e Re të qytetit, si dhe kantierin e rrugës Drithas – Maliq.

Qyteti juglindor i Korçës mbetet një ndër qytetet model në Shqipëri.

Një qytet krenarie për vlerat kulturore të akumuluara ndër vite dhe për investimet madhore të dekadës së fundit, që e kanë shndërruar këtë qytet në një ndër më të preferuarit e turistëve vendas e të huaj, në të gjitha stinët e vitit.

Parku Japonez i ka shtuar banorëve dhe vizitorëve të shumtë një hapësirë të gjelbër me pasqyra uji, ura, bimësi japoneze dhe detajeve të tjera tipike. Parku japonez në Korçë shtrihet në rreth 15.000 m2 rrëzë kodrave të qytetit, që janë kthyer tashmë në një hapësirë dekorative dhe të dashur për qytetarët.

Gjatë inspektimeve të kryera Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga deputeti i Partisë Socialiste, Niko Peleshi, Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo pa nga afër punën që është bërë në këtë qytet.

Kryetari i bashkisë, Sotiraq Filo, u shpreh se “parku japonez dhe kopshtet komunitare janë projekti i fundit i bashkisë për shtimin e hapësirave të gjelbra.Kjo hapësirë para projektit ka qenë që ka qenë ish shtrati i lumit të Korçës dhe shërbente si vend për të hedhur inertet, tani është transformuar krejtësisht . Nga ana e arkitektit janë vendosur elementë të parqeve japoneze, është i pari park japonez në Shqipëri. Është një hapësirë që lidh disa institucione Muzeun e Artit Mesjetar, një prej godinave të Universitetit, Gjykatën e Shkallës së Parë dhe Prokurorinë”.

“Kopshti urban është një model që prezantohet për herë të parë në Shqipëri, janë parcela që mendojmë t’ua ndajmë një grupi banorësh , të cilët mund të vijnë këtu dhe të punojnë tokën të kultivojnë perime”, – tha Filo.

Në sallën e Arteve në bibliotekën e re të qytetit, Kryeministri Rama pa nga afër ekspozitën e çelur nga nxënësit e liceut të Korçës.

Kryeministri Rama u shpreh se “realisht nuk duken si piktura të nxënësve të gjimnazit”.

Ndalesa e fundit e inspektimeve të Kryeministrit Rama ishte në rrugën Drithas – Maliq, ku pa nga afër ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e kësaj rruge.

Postimi i z Rama:

MIRËMËNGJES 😃

dhe me Parkun e ri të qytetit të Korçës, dikur fushë e grumbullimit të inerteve, Sallën e Arteve në Bibliotekën e Re të qytetit, si dhe kantierin e rrugës Drithas – Maliq, ju uroj një javë të mbarë

 

Fraksion.com