AktualitetPolitikëTë fundit

“Kërcënohet Lulzim Basha”; Lleshaj takohet me shoqëruesin e kreut të PD

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, me anë të së cilës pretendon se jeta e kryeopozitarit Lulzim Basha është në rrezik.

Në letrën që mban firmën e Bardhit thuhet se “Feim Dollapaj, punonjës i Gardës së Republikës, me detyrë shoqërues i kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, na ka informuar në lidhje me takimin që ju keni pasur me të, me kërkesën tuaj ditën e premte, datë 14.06.2019 ora 15:00, në zyrën tuaj në Ministrinë e Brendshme. Ashtu siç keni i kërkuar, z. Dollapaj na ka informuar se ju keni “informacione të tërthorta dhe të besueshme si Ministër i Brendshëm mbi rrezikun që i kanoset sigurisë së kryetarit të ppozitës zotit Basha’ dhe se ju prisni përgjigje verbale nëse zoti Basha ‘vlerëson se kërkon masa shtesë sigurie”.

Bardhi shton se Lleshaj e ka detyrim ligjor që informacionet e tërthorta dhe të besueshme mbi rrezikun që i kanoset sigurisë së kryetarit të opozitës t’i trajtojë në rrugë institucionale përmes përcjelljes zyrtare të tyre tek autoritetet përgjegjëse.

“Në bazë të ligjit, ju duhet ta përcillni informacionin që keni tek drejtuesit e Gardës së Republikës, që janë autoriteti përgjegjës për të vlerësuar masat e nevojshme të sigurisë ndaj një personaliteti shtetëror që gëzon mbrojtje të posaçme, si dhe tek institucionet ligjzbatuese që kanë përgjegjësinë ligjore për të gjurmuar, vlerësuar dhe neutralizuar çdo rrezik të tillë”, shkruan Bardhi.

Më tej ai kërkon që ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, të informojë menjëherë zyrtarisht Partinë Demokratike mbi motivet që e kanë shtyrë për ta trajtuar këtë çështje në anashkalim të ligjit, si dhe të informojë menjëherë zyrtarisht, mbi seriozitetin dhe besueshmërinë e informacionit që keni përcjellë përmes shoqëruesit të kryetarit të opozitës “mbi rrezikun që i kanoset sigurisë së kryetarit të opozitës.

“Në të kundërt, Partia Demokratike do ta konsiderojë veprimin e tuaj shantazh për qëllime politike dhe ju do të mbani përgjegjësi për këtë veprim”, thuhet në mbyllje.

Fraksion.com