AktualitetTë fundit

Kandidati me masë disiplinore, Olsian Çela drejt eleminimit nga gara për Kryeprokuror (Dokumenti)

Gara për postin më të rëndësishëm, atë të Kryeprokurorit, pritet të marrë një tjetër drejtim. Një nga kandidatët, më konkretisht, Olsian Çela, rezulton të ketë një hetim disiplinor, dhe që mund të sjellë eleminimin e tij në këtë proces. Nëse kandidati Çela skualifikohet, atëherë Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të jetë i detyruar të dërgojë në parlament të tre kandidaturat e mbetura, nëse plotësojnë kriteret.

Kriteri më i fortë në garën për Kryeprokuror, është që asnjë nga kandidatët të mos ketë masë disiplinore ose hetim për masë disiplinore. Por, Olsian Çela ka garuar duke e ditur që ndaj tij kishte nisur një hetim disiplinor.

Gazeta Shqip Online ka një kopje të vendimit për hetimin disiplinor ndaj zotit Çela. Kjo masë ndaj tij, është vendosur për shkak të refuzimit për të përfaqësuar prokurorinë në gjyqin e Emiliano Shullazit dhe bandës së tij.

Çela refuzoi gjyqin për Shullazin

Shqip mëson se hetimi disiplinor ka nisur mbi bazën e ankesës së drejtueses së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, zj. Donika Prela, në të cilën kërkohej ndërhyrja e Prokurorit të Përgjithshëm për një situatë të krijuar në Prokurorinë për Krimet e Rënda, në lidhje me përfaqësimin në gjykim të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Emiliano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Blerim Shullazi, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të parashikuar nga nenet 109/b, 333/a dhe 334 të K. Penal.

Historia e shkeljes së prokurorit Olsian Çela, nis në datën 19.09.2018, ora 0900, kohë kjo kur është mbajtur mbledhja për hedhjen e shortit. Në mbledhje kanë qenë të pranishëm të gjithë prokurorët e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Në atë moment, hedhja e shortit është kundërshtuar nga prokurorët Arenc Çela, Olsian Çela, Përparim Kulluri, Sonila Muhametaj, Eugen Beci, etj., të cilët kanë refuzuar të marrin pjesë në short me pretendimin se hedhja e shortit është jo – ligjore, dhe përfaqësimi i çështjes në gjykim duhej të bëhej nga 2 prokurorët e çështjes Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi. Por këta të fundit, nuk ishin më prokurorë të çështjes, pasi znj. Imeraj ishte emëruar Drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, ndërsa Ened Nakuçi ishte shtruar në spital për një ndërhyrje kirurgjikale.

Po në këtë ditë, prokurori Olsian Çela si dhe prokurorët Behar Dibra, Blerim Tominaj dhe Pranvera Pustina janë larguar nga salla e mbledhjes në mënyrë demonstrative duke deklaruar se nuk pranojnë të marrin pjesë në hedhjen e shortit.

 

Shkeljet që rëndojnë mbi Olsian Çelën

Prokurori i Përgjithshëm, pas informacionit të nisur nga drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, ka vendosur nisjen e hetimin disiplinor mbi bazën e kompetencës që i jep neni 160, pika 5 e ligjit nr.96/2016.

Në veprimet e kryera nga prokurori Olsian Çela, të shfaqura nëpërmjet refuzimit të pjesëmarrjes në short dhe largimit nga mbledhja e prokurorëve, rezulton të jenë shkelur rregullat e etikës të parashikuara në “Rregullat mbi Etikën dhe Sjelljen e Prokurorëve”, miratuar me Urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm nr. 141 dt 19.06.2014 “Për Miratimin e Rregullave mbi Etikën dhe Sjelljen e Prokurorëve”.

Rregullimet mbi etikën dhe sjelljen e prokurorëve, të miratuar me urdhrin e sipërcituar, janë në fuqi dhe janë të detyrueshme për tu zbatuar nga çdo prokuror, deri në nxjerrjen dhe miratimin nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me një vendim tjetër.

Më konkretisht, nga ana e prokurorit Olsian Çela është shkelur kërkesa e germës “a” të  nenit 13 të “Rregullave mbi Etikën dhe Sjelljen e Prokurorëve”, në të cilat parashikohen prokurorët duhet të udhëhiqen nga respekti, përkushtimi, transparenca, serioziteti, mirësjellja e ndershmëria për zbatimin me përpikëri të urdhrave e udhëzimeve të ligjshme të prokurorit më të lartë.

Materialet e hetimit disiplinor janë depozituar në sekretarinë e Prokurorisë së Përgjithshme deri në krijimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili, ka tagrin ekskluziv për të vendosur fillimin ose jo të procedimit disiplinor në ngarkim të prokurorit Olsian Çela.

Bashkë me Olsian Çelën, hetimi disiplinor ka përfshirë edhe 9 prokurorë të tjerë, të cilët refuzuan përfaqësimin në gjyq të çështjes “Shullazi” dhe u larguan në mënyrë demonstrative nga mbledhja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Nuk dihet nëse Këshilli i Lartë i Prokurorisë e ka shqyrtuar këtë hetim disiplinor, por sipas kritereve të përcaktuara në ligj, kandidati Olsian Çela duhet të skualifikohet nga gara.

 

Fraksion.com