AktualitetNATO/BEPolitikëTë fundit

Hahn mesazh Parisit dhe Hagës: Nëse nuk çelni negociatat për Shqipërinë, rrezikoni perspektivën europiane

Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian Johannes Hahn, me të mbërritur në Luksemburg për mbledhjen e sotme të Këshillit të Punëve të Jashtme, ka folur për gazetarët prezentë jashtë dyerve ku do të zhvillohet mbledhja, duke kërkuar fuqimisht nga vendet anëtare të Bashkimit Europian të bëjnë ç’është e mundur të pranojnë çeljen e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.

Johannes Hahn, duke i dërguar një mesazh të qartë Parisit dhe Hagës, si dy vendet më skeptike për këtë proces, tha se nëse një hap i tillë nuk ndodh, do të vendoset në risk perspektiva europiane e rajonit, dhe po ashtu, do të humbë besimi te këto vende se Komisioni Europian mban premtimet.

I pyetur se sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë a është shtatori një kompromis i duhur, Hahn tha se, “në këtë kontekst, nuk më pëlqen që të përcaktoj kompromisin. Ndoshta është diçka që unë duhet ta pranoj, pasi nuk është vendimi im. Propozimi im është që kur një vend i përmbush angazhimet atëherë edhe ne duhet të mbajmë fjalën. Çdo lloj vonese është me rrezik dhe mua nuk më pëlqen që të kemi rreziqe kur nuk ka nevojë për një të tillë.”.

I pyetur se cili është mesazhi i tij për Parisin dhe Hagën, Hahn tha se, “Mesazhi im për të gjithë është që të kuptojnë situatën në rajon dhe të gjithë perspektivën e tij, që një vend që ka bërë në mënyrë të jashtëzakonshme për perspektivën europiane, që udhëheqja këtij vendi që ka treguar kurajo dhe nëse nuk ia shpërblejmë këtë atëherë do të humbasim përgjegjësinë dhe besueshmërinë tonë. Çdo gjë që ne kemi investuar me sukses gjatë dy viteve të fundit ka rrezik që të shkojë kot nëse ne nuk do të mbajmë premtimet”, tha Hahn.

Ministrat e Jashtëm të BE u takuan në 17 qershor në Luksemburg për të diskutuar çështje aktuale të politikës së jashtme, efektivitetin e reformës së përbashkët të jashtme dhe Sudanin.

 

Fraksion.com