Edi Rama “braktis” fushatën elektorale për dy ditë; Tregon arsyet
Kryeministri Edi Rama këtë të hënë dhe të martën nuk do të jetë i pranishëm në takime elektorale në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 30 qershorit. Kreu i qeverisë sqaron përmes një postimi në rrjetet sociale se do të jetë sot dhe nesër në Londër në Forumin e prestigjozes Financial Times – Investimet në Ballkanin Perëndimor.
Rama thotë se do t’i rikthehet fushatës pasnesër, të mërkurën dhe jep një mesazh për opozitën joparlamentare që vijon me tentativat e saj për të bllokuar procesin zgjedhor siç është nisma e bashkive të drejtuara nga PD dhe LSI që kërkojnë lirimin e ambienteve që do të përdoren si KZAZ më 30 qershor.
“Shkëputje e pashmangshme nga fushata për të marrë pjesë në Forumin e prestigjozes Financial Times – Investimet në Ballkanin Perëndimor. Pasnesër gati për fazën finale drejt 30 qershorit, ditës kur populli do t’u japë një mësim të paharrueshëm kundërvënësve të tij pa din e iman”, tha Rama.