Balla: Nis shkarkimi i Metës, depozituam kërkesën me 55 firma
Në një deklaratë urgjente për mediat, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla bëri me dije se është dorëzuar kërkesa për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Balla, deklaroi se “me mbështetjen e firmave të 55 deputetëve të Kuvendit që përbëjnë më shumë se ¼ e deputetëve të Kuvendit, sapo kemi depozituar kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta”.
“Presidenti i Republikës në ushtrim të kompetencave të dhëna nga Kushtetuta ka nxjerrë dekretin për caktimin e zgjedhjeve vendore në 30 qershor 2019. Në përmbushje të këtij përcaktimi kanë filluar procedurat për mbajtjen brenda afateve ligjore të procesit zgjedhor. Janë ngritur KZAZ-t. Janë shpallur listat e zgjedhësve. Është kryer regjistrimi i partive politike. Janë depozituar listat e kandidatëve. Ka filluar fushata zgjedhore”, tha Balla në një deklaratë për mediet nga Kryesia e Kuvendit.
Ndërkohë që ka filluar fushata zgjedhore, theksoi Balla, “Presidenti ka lëshuar dekretin për shfuqizimin e dekretit për mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor 2019 duke e anuluar këtë datë”.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PS, “arsyet e dhëna nga presidenti kanë të bëjnë me shqetësimin e thellë mbi situatën politike në vend. Nevojën e çtensionimit të situatës në vend. Bindjen se kjo vendimmarrje është mënyra e vetme për të rregulluar krizën ku ndodhet vendi”.
“Në lidhje me shkeljet e Kushtetutës, dekreti i vitit 2019 vjen në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të një Republike parlamentare dhe të kompetencave të Presidentit. Është cenuar rëndë parimi i ushtrimit të sovranitet nga populli sipas Kushtetutës. Populli e ushtron këtë sovranitet. Si pasojë e kësaj vendimmarrje, popullit i është hequr e drejta e sovranit për një ushtrim të tillë. Anulimi i datës së zgjedhjeve dhe për më tepër moscaktimi i një date tjetër është cenim i të drejtës së sovranit”, tha Balla.
“Kjo vendimmarrje zhbën autoritetin e sovranit duke i hequr me një akt administrativ të drejtën për të qenë sovran. Sovrani ka miratuar Kushtetutën dhe ka përcaktuar se Kuvendi zgjidhet një here në 4 vjet. Edhe njësitë bazë të qeverisjes vendore janë këshillat që zgjidhen çdo 4 vjet. Presidenti po sillet në pozitën e një pushteti absolut. Ne vlerësojmë se Presidenti ka marrë tagrat e autoritetit të sovranit të Kuvendit”, u shpreh Balla.
“Presidenti me dekret ka zgjatur mandatin e pushtetit vendor. Mandati i të qeverisursve vendorë është 4 vjeçar me dekretin e Presidentit ku mandat zgjat dhe presidenti i ka njohur vetes atributet e ligjvënësit”, tha Balla.
“Presidenti ka përcaktuar një datë tej datës së përcaktuar me ligj. Presidenti ka vendosur një datë tej atyre të njohura nga ligji. Caktimi i datës lidhet me mbarimin e mandatit të të zgjedhurve aktualë. Ka marrë atribute të kuvendit e sovranit. Autoriteti i vetëm është vetëm trupa legjislative. Dhe në këtë rast presidenti ka marrë atribute të paligjshëm. Është një rast i pa ndodhur ndonjëherë. Presidenti referon situatën 2007. Theksojmë se kjo situatë është e kundërta e këtij procesi. Vlerësojmë se presidenti po sillet si autoritet mbi Kushtetutën e mbi sovranin”, u shpreh Balla.
“Presidenti ka anuluar datën e zgjedhjeve, Kushtetuta nuk ia njeh këtë drejtë. Ka për detyrë të caktojë datën e s’ka alternativë për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve”, theksoi Balla.
“Presidenti ka cenuar rëndë parimin e periodicitetit të zgjedhjeve. Nëse do të zbatohet dekreti i presidenti, automatikisht kemi të bëjmë me cenim të këtij parimi”, tha Balla
Fraksion.com