AktualitetBota+Të fundit

Turqia kundërshton ultimatumin e SHBA-së

Turqia nuk do të tërhiqet nga vendimi i saj për të blerë sistemet e mbrojtjes raketore ruse S-400, pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-së, se do të përjashtojë Ankaranë nga programi i pajisjes me aeroplanët F-35, tha të enjten ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Patrick Shanahan, javën e kaluar, i dërgoi një letër homologut të tij turk, duke paralajmëruar se Ankaraja do të largohet nga programi i furnizimit me aeroplanë F-35 nëse vazhdon me planet për blerjen e sistemit rus, për të cilin Uashingtoni thotë se paraqet kërcënim për sistemin e aeroplanëve amerikanë.

Por, ministri turk Cavusoglu tha se askush nuk mund t’i japë ultimatume Turqisë.

“Turqia nuk do të tërhiqet nga vendimet e saj me kësi lloje letrash”, tha ai.

Turqia ka propozuar që bashkë me SHBA-në, si aleat të NATO-s, të formojnë një grup pune për të vlerësuar ndikimin e sistemit rus në pajisjet ushtarake amerikane, por ende nuk ka marrë një përgjigje nga Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar se do të vendosin sanksione ndaj Ankarasë.

 

Fraksion.com