AktualitetBota+Të fundit

Pompeo: Irani përgjegjës për sulmet ndaj cisternave

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të enjten se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se Irani është përgjegjës për sulmet ndaj dy cistrnave në Gjirin e Omanit. Ai tha se vlerësimi bazohet në informacionin, llojin e armëve të përdorura dhe shkallën e sofistikimit të sulmeve.

Zoti Pompeo tha në një konferencë shtypi në Uashington se sulmet ndaj anijeve janë pjesë e një “fushate” të “rritjes së tensionit” nga ana e Iranit dhe një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë forcat dhe interesat e tyre në rajon, por nuk dha asnjë hollësi për ndonjë plan dhe nuk pranoi pyetje nga gazetarët.

Më parë, një zyrtar amerikan i mbrojtjes tha se ushtria është “e bindur” se Irani qëndron pas sulmeve ndaj dy cisternave të naftës.

“Kemi shumë shenja se ky [sulm] është i Iranit”, tha zyrtari i mbrojtjes duke folur me Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti. “Jemi të sigurt dhe provat ekzistojnë”, tha ai.

Zyrtari nuk dha hollësi se cilat ishin provat.

Dy cisternat u sulmuan të enjten në Gjirin e Omanit, një rrugë detare strategjike pranë brigjeve të Iranit.

Autoriteti norvegjez i Marinës tha se në anijen norvegjeze Front Altair u njoftua për tre shpërthime, pas një sulmi të dyshuar ndaj një tjetër anijeje me pronësi gjermane.

Flota e pestë amerikane me bazë në Bahrein tha se kishte marrë thirrje emergjente nga të dyja cisternat dhe se po u jep ndihmë.

Agjencia iraniane e lajmeve IRNA tha se ushtria iraniane kishte shpëtuar 44 anëtarë ekuipazhi të cisternave dhe se të dyja anijet ishin në flakë.

Ende nuk ka njoftime se çfarë lëndësh shpërthyese mund të kenë shkaktuar dëmtimet në dy anijet.

Gjiri i Omanit është pranë Hormuzit, ngushticës që shërben si një rrugë strategjike për transportin e naftës bruto.

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara akuzuan Iranin se kishte përdorur minat për të sulmuar katër cisterna nafte pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe. Irani mohoi se kishte gisht në incident.

 

Fraksion.com