Po jetojmë në një botë gjithnjë e më të rrezikshme
Në dritën e kërcënimeve më të fundit të sigurisë kombëtare, me të cilat ballafaqohen Shtetet e Bashkuara, do të ishte e papërgjegjshme po të mos e pranojmë, se po jetojmë në një botë gjithnjë më të rrezikshme. Numri gjithnjë e në rritje i vatrave të nxehta të konflikteve, ngre frikën se nëse udhëheqja jonë e zgjedhur, do të dështojë në këtë moment kritik në histori, mund ta gjejmë veten shumë mirë në mesin e një lufte tjetër.
Ne nuk kemi luksin të shpëfillim leksionet e historisë. Në vitin 1914, bota u përball me shumë probleme të njëjta – terrorizëm, mosmarrëveshje territoriale, aleanca të brishta, nacionalizëm, dhe shpresën e dështuar se lufta ishte e paimagjinueshme – dhe rezultati ishte se llogaritjet e gabuara, e përshkallëzuan situatën në një luftë botërore.
Kujtimet zbehen me kalimin e kohës, por realitetet e një bote të rrezikshme, bëjnë të qartë si pikat e forta ashtu edhe dobësitë në aftësitë tona diplomatike dhe ushtarake. Sot, liria, siguria dhe prosperiteti i Shteteve të Bashkuara dhe i aleatëve tanë demokratikë, ndodhen nën një kërcënim serioz nga kundërshtarët, të cilët janë të vendosur të riformësojnë rendin botëror dhe dëmtojnë interesat tona.
Kundërshtarët tanë, kanë përdorur taktika të luftës hibride ose të zonës gri; kanë vepruar kundër SHBA-së dhe aleatëve tanë në hapësirë dhe hapësirën kibernetike, si dhe kanë përdorur forma të reja të luftës ekonomike, informative dhe ligjore. Strategjitë efektive për të kapërcyer sfidat ndaj sigurisë kombëtare, duhet të jenë agresive, gjithëpërfshirëse dhe të integruara. Dështimi i Shteteve të Bashkuara për të përdorur vazhdueshmisht të gjitha mjetet e fuqisë kombëtare – diplomatike, ekonomike, të inteligjencës, zbatimit të ligjit, financiare, kibernetike- të kombinuara me rënien e gatishmërisë ushtarake amerikane, kanë rrezikuar interesat jetësore të SHBA-së, kanë dëmtuar parandalimin, kanë ftuar agresionin dhe kanë rritur gjasat e konfliktit.
Gjithë kësaj, i shtohet një politikë e jashtme që mbështetet kryesisht mbi kaosin, si një mënyrë për të fituar mekanizma ndikues, dhe për të detyruar kundërshtarët që në fund të kapitullojnë. Ndonëse mund të jetë një mënyrë për të bërë biznes në botën e pasurive të paluajtshme në Nju Jork, në botën reale kundërshtarët nuk dorëzohen lehtësisht kur janë nën presion, vetëm nëse nuk besojnë se mund të mbrojnë me sukses interesat e tyre kombëtare.
Sanksionet, tarifat, marrëveshjet e shkelura dhe kërcënimet, do të sjellin vetëm hakmarrje. Asnjë kundërshtar, nuk do të negociojë duke pasur një armë në kokë. Presioni dhe kaosi, funksionojnë vetëm nëse shoqërohen me strategji të besueshme, të cilat çojnë në negociata dhe mirëbesim ndërmjet palëve. Kaosi, pa atë lloj strategjie, është një recetë për një botë më të rrezikshme.
Mjafton të shihni krizat me të cilat ballafaqohemi aktualisht: Në Iran, presidenti ka shkatërruar marrëveshjen bërthamore të përpunuar nga SHBA-ja, dhe aleatët tanë kanë shtuar sanksionet, e ka etiketuar si terroriste ushtrinë iraniane, është përpjekur të ndalojë të gjitha eksportet e naftës, dhe të ndërmarrë masa të tjera ekonomike dhe diplomatike, për ta gunjëzuar Iranin.
Ndërkohë, në kundërpërgjigje, Teherani po hakmerret, dhe tensionet po shkallëzohen në të dyja anët, duke rritur shanset për një llogaritje të gabuar, dhe një përplasje ushtarake.
Në vend se të punojë me aleatët, për ta rikthyer Iranin në tryezën e negociatave, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur t’i impopnohen atij. Kjo nuk ka për të funksioniuar, dhe nuk do të funksionojë, pa një strategji të fortë diplomatike që synon zgjidhjen e krizës.
E njëjta gjë vlen edhe për Korenë e Veriut. Nuk mjafton aspak që të dy liderët takohen në një samit, përveçse nëse këto takime shoqërohen nga një strategji diplomatike e përpunuar me kujdes, që përcakton secilin nga hapat e kërkuar nga të dyja palët, për të arritur denuklearizimin.
Fakti që Donald Trumpi dhe Kim Jong Un, mund të kenë ose jo një marrëdhënie personale, nuk do të zëvendësojnë kurrë punën e nevojshme të ekpertëve, për sheshimin e dallimeve të mëdha midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.
Frenklin Ruzvelt dhe Josif Stalin, mund ta kenë pëlqyer njëri-tjetrin si tipa kur u takuan për herë të parë. Por, pa një punë të madhe ushtarake dhe diplomatike që shoqëroi takimet e tyre, shumë pak do të ishte arritur. Pa atë strategji më të madhe diplomatike, pavarësisht dy samiteve të nivelit të lartë, Koreja e Veriut do të mbetet një kërcënim bërthamor për Shtetet e Bashkuara dhe rajonin.
Së fundmi, Shtetet e Bashkuara janë aktualisht të angazhuara në një luftë të plotë tregtare me Kinën. Presidenti Trump, beson se rritja e tarifave ndaj Kinës, do ta detyrojë në fund të kapitulojë këtë të fundit. Por edhe Kina po hakmerret, dhe rezultati është ai që deklaroi kohët e fundit këshilltari i presidentit: Në një luftë tregtare, nuk ka asnjë të fituar.
Ekziston një arsye, se përse SHBA-ja ka shmangur në të kaluarën kaosin e një lufte tarifore. Ajo nuk funksionon, dhe sigurisht që nuk zëvendëson negociatat gjithëpërfshirëse dhe të vështira, që kanë shoqëruar çdo marrëveshje të madhe tregtare në historinë tonë. Mënyra më i mirë për të zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare, nuk është vetë-plagosja dhe dëmtimi i konsumatorëve dhe fermerëve amerikane, por me anë të negociata të vështira, serioze, të durueshme dhe pa ndalesë, me partnerët tanë tregtarë.
Kësaj liste, u shtohen krizat të tjera në botë, siç është ajo në Venezuelë, kërcënimi i vazhdueshëm i një sulmi terrorist të ISIS, shtetet e dështuara në Lindjen e Mesme si Siria, Jemeni dhe Libia, sulmet kibernetike agresive dhe dislokimet e trupave ruse në zona të ndryshme, si dhe shtimi i sulmeve të talebanëve në Afganistan.
E sotmja, është qartazi një botë më e rrezikshme. S’ka dyshim se Amerika mbetet e forte, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Por, ajo që përcakton vërtetë forcën tonë, nuk janë armët tona apo vlera e dollarit, por cilësia e udhëheqjes sonë. Perandoritë kanë rënë historikisht, për shkak se e morën forcën e tyre si të mirëqenë, dhe mendonin se mund t’i imponoheshin botës.
Çdo president, do të donte të shkurtonte rrugën e tij drejt suksesit. Por ajo që çdo president ka arritur të kuptojëm, është se nuk ka shtigje të shkurtra, dhe asnjë zëvendësues për punën e kujdesshme që kërkohet në zhvillimin e strategjive që shmangin kaosin. Dështimi i një presidenti për të njohur këtë parim themelor të udhëheqjes, mund ta bëjë botën një vend edhe më të rrezikshëm.
Shënim: Leon Panetta, kongresmen demokrat i Kalifornisë në vitet 1977-1993. Ka qenë drejtor i CIA në vitet 2009-2011, dhe sekretar i Mbrojtjes në vitet 2011-2013, gjatë administratës Obama./The Hill, Bota.al
Fraksion.com