Ndryshe nga mallkimet e Cekës; Grida Duma: Bekuar qofshin të gjithë ata që ia presin rrugën Ramës
Ish-deputetja Grida Duma, përmes një postimi në Facebook, reagoi ndaj arrestimit të mbështetëve në PD, të cilët i kishin zënë rrugën kryeministrit Edi Rama në Librazhd. Duke e quajtur Kryeministrin ‘e keqja’, Grida Duma shpërthen në urime ndaj atyre që ja presin rrugën.
Reagimi i plotë i Dumës:
Sot drejtues të opozitës janë arrestuar sepse protestuan duke tentuar ti presin rrugën të keqes! Bekuar qofshin të gjithë ata që ia presin asaj rrugën!
“Ngrihuni kundër të keqes!” ishte motoja e presidentes sllovake, e cila fitoi si kurrë më parë, pasi si asnjëherë djalli po fshihej në institucionet e drejtësisë. A s’po ndodh e njëjta gjë edhe tek ne?
Gjithçka është teatër; institucionet e shtetit përdoren si topa lecke, penalltitë i gjuajnë ata që topin e kanë vetë. Asgjë e drejtë dhe e ndershme nuk mbahet dot në këmbë.
Në këtë situatë që prej pesë muajsh me radhë sheshi dhe rruga janë të opozitës; Shqipëria për sytë e atyre që duan të shohin, nuk është në fushatë zgjedhore por në vlagë proteste. Por zemërata e njerëzve nuk qenka e ligjshme dhe sjellja e tyre na qenka antikushtetuese.
Ata drejtues të opozitës që janë arrestuar sot, nuk po luftojnë që të vjedhin në pushtet nesër; ata po luftojnë për lirinë për të jetuar mirë, jo lirinë për të ikur nga Shqipëria. Kjo beteje është për mundësinë tonë, atë që sot mungon, sepse varfëria dhe zhvatja është një burg më i rëndë sesa heqja e lirisë.
Shqiptarët sot nuk duhet të harrojnë: ka disa vjet që ky kryeministër ka përgatitur letrat për ti zhvatur shqiptarët për 10-20 vjetët e ardhshme me kontratat që u ka dhënë miqve të tij! Ky njeri ka që dje që ju grabit shqiptarëve të ardhmen; dhe nuk është çudi që ata që luftojnë për drejtësi dhe mundësi janë në burg sot.
Janë qindra miliona Euro që po kalojnë nga shqiptarët drejt xhepave të tij. Dhe qindra milionë të tjerë do të pasojnë nesër nëse sot asgjë s’ndryshon.
Ata që s’kanë parë gjë akoma së shpejti do ta shohin sesi së bashku ne do ta çlirojmë këtë vend nga pamundësia!
Patriotizmi për ne është një dhe një i vetëm: të mundësojmë çdo shqiptar të punojë dhe të fitojë me aftësi dhe meritë, e të ndëshkojmë çdo brejtës e zhvatës të mundësisë dhe shpresës së këtij vendi.
Fraksion.com