AktualitetBota+Të fundit

Britani, Boris Johnson kryeson në votimin e konservatorëve

Ligjvënësit konservatorë të Britanisë mbajtën të enjten të parin në një seri votimesh për të caktuar se kush do ta pasojë zonjën Theresa May si kryetare partie dhe kryeministre.

Në vend të parë doli ish-sekretari i jashtëm Boris Johnson, siç edhe ishte parashikuar.

Pozicioni i tij në krye bëhet akoma më interesant po të mbahet parasysh fakti se më pak se tre vjet më parë, përpjekja e tij për të pasuar zotin David Cameron, paraardhës i kryeministres May, dështoi pasi fushata e tij u sabotua nga një rival.

Përgatitja më e mirë nga ana e zotit Johnson dhe ekipit të tij duket se po jep rezultat. Në votimin e parë, ai siguroi mbështetjen e 114 prej 313 ligjvënësve. Jeremy Hunt, sekretari i tanishëm i jashtëm, doli i dyti me 43 vota në listën prej mëse 10 kandidatësh.

Do të duhen disa javë për të përfunduar votimet, kur lista të reduktohet në vetëm dy kandidatë. Më pas, 160 mijë anëtarë të partisë do të përcaktojnë me votë fituesin.

 

Fraksion.com