Rama: Qitja e Metës e largët; Preja e kërkuar në këtë gjah politik, nuk jam unë
“Nuk ka asgjë që na tund nga 30 qershori! Duke shkuar në zgjedhjet e 30 qershorit me këtë dhimbje koke që ka shkaktuar ikja e opozitës nga parlamenti nuk sigurojmë dot pluralizmin e zgjedhjeve dhe me shumë gjasa produkti i këtyre zgjedhjeve do jetë një hartë elektorale 100% e purpurt, nëse nuk do ketë ndonjë surprizë”, tha Kryeministri Edi Rama në Parlament, në vijim të mocionit të debatit pas dekretit të Presidentit Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.
Ai shtoi se kjo nuk ndodh se nuk e do shumica larminë pluraliste të zgjedhjeve dhe as se nuk duan garë në bashki dhe as se po asgjësohet pluralizmi.
“Nuk është plani ynë ky, ky është plani i tyre dhe neve nuk na mbetet tjetër veçse ta pranojë realitetin siç është. Qëndrimi në proces nuk na bën bashkëfajtorë me ta, për shkak të zgjedhjeve pa konkurrencë. Ne jemi thjeshtë viktimë të zgjedhjes së lirë të kundërshtarëve tanë”, u shpreh Rama.
Sipas tij, e keqja e këtyre zgjedhjeve buron nga qëllimi i atyre që duan të vrasin zgjedhjet dhe se akti i Ilir Metës është prova më ulëritëse e lepurit që fle në barkun e frikës jo vetëm nga zgjedhjet, por në radhë të parë nga drejtësia.
Por Rama deklaroi se janë të detyruar ta marrin përsipër këtë kosto, në mënyrë që kostoja të mos i kalojë Shqipërisë në vitet e ardhshme.
Sipas tij, shtyrja e zgjedhjeve për shkak se ata nuk janë në zgjedhje, do të ishte një e keqe e madhe me efekt të zgjatur mbi Shqipërinë.
Po ashtu tha se nuk është as e pa ndodhur dhe as e papritur, madje e cilësoi si serinë e dytë të ciklit që ka filluar dy vite më parë.
Ai tha se, “E mbajnë mend që të gjithë kur të njëjtët njerëz të udhëhequr nga i njëjti zjarrvënës i këtyre 30 viteve demokraci Sali Berisha dhe i njëjti llafazan dembel Lulzim Basha, ikën nga parlamenti dhe u mbyllën në një bunker plastmasi me të njëjtin avaz ‘nuk hyj në zgjedhje, nuk dialogoj pa ikur Kryeministri’, me pjesët e të njëjtës këngë ‘La voce del padrone’. E mbajnë mend të gjithë se sa shumë i jam lutur Lulzim Bashës për dialog dhe marrëveshje dhe se si u bë në minutën e fundit marrëveshja”.
Rama kujtoi se mori gjithçka kërkoi me kusht që të dilnin nga bunkeri i platmasit dhe të votonin vetingun dhe të mos kontestonin rezultatin e zgjedhjeve si dhe të mos shanin Shqipërinë në gjuhë të juaj dhe i shtymë zgjedhjet me atë marrëveshje me vetëm një javë.
Kreu i qeverisë deklaroi se Presidenti i asokohe Bujar Nishani nuk e interpretonte Kushtetutën sipas dëshirave dhe nevojave të partisë edhe pse i shkonte pas avazit, nuk e vuri firmën e tij në dispozicion të axhendës politike të asaj partie.
“U desh të bëhej President Ilir Meta, që edhe Bujar Nishanin, Presidentin më partiak dhe mediokër, ta kujtojmë sot për mirë! U desh të bëhej President Ilir Meta që fjalori i shtetit të plotësohej me fjalën e re çdekretim dhe aktin e ç’firmosjes! U desh të bëhej President Ilir Meta që jo vetëm fjalët ti marrë era por edhe firmat të ikin sipas erës, njerëzimi të përballet me një filozofi më vete ‘konsensusin e palëve për të mos rënë dakord”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se gjithçka u bë për të projektuar të ardhmen e tij në krye të opozitës të Ilir Metës, i cili me një lëvizje të një pasdite trazoi gjithë situatën më shumë sa kishte bërë Lulzim Basha me gjithë marshin opozitar dhe protestat e shumta.
Kështu Rama e cilësoi si një plan politik për të vrarë jetën demokratike të vendit dhe për të minuar rrugën e negociatave me Bashkimin Europian.
“Luli dhe Monika janë instrumentet e të parëve, dy ustallarët e rrëmujës dhe intrigave e kanë qitjen më të largët. Unë jam shënjestra që duket! Preja e kërkuar në këtë gjah politik, nuk jam unë, është Shqipëria”, tha Edi Rama.
Ai deklaroi se Berisha dhe Meta kujtojnë se mund ta largojnë nga detyra me molotovët e Lulit dhe mallkimet e Monikës e kanë gabim.
“Unë jam shënjestra, koka që i duhet ofruar turmës për ta frymëzuar e sjellë të ndërsyer në bulevard, ndërsa prerja e kërkuar në këtë gjah politik nuk jam unë, por vendi, që duhet ndalur para se të kapërcejë pragun e negociatave dhe të hapë dy kapitujt e parë dhe duke hapur kapitujt e drejtësisë, vendi duhet ti provojë BE e reforma nuk është vetëm një maket, mekanizëm pastrimi i sistemonit të drejtësisë por është shtet i së drejtës, ku qoftë gjykatësit e kapur nga vetingu, politikanët e korruptuar e të paprekshëm mund të këputen si pras nga goditjet e drejtësisë së çliruar nga kthetrat e tyre. Plani është i qartë dhe jo budalla për mbijetesën politike”, tha ai.
Sipas tij, antidekreti i Ilir Metës është një arsye shumë më e fortë për ti bërë zgjedhjet e 30 qershorit dhe për ti dalë përballë katër aventurierëve, të cilët duan të ndalin shtetbërjen, duke iu referuar Ilir Metës, Sali Berishës, Monika Kryemadhit dhe Lulzim Bashës.
Fraksion.com