Pse Trump dhe Putin nuk kanë asgjë për të diskutuar mes tyre
Nga Leonid Bershidsky
Hetimi nga prokurori special Robert Myler, duhej të ishte pengesa më e madhe ndaj dëshirës së shpallur të presidentit Donald Trump, për “t’u kokolepsur me Rusinë” dhe presidentin e saj Vladimir Putin. Por, tani që Trump është aq i lirë nga hija e Mylerit, sa kurrë ndonjëherë, marrëdhëniet SHBA-Rusi nuk po përmirësohen: Të dy vendet, nuk kanë ende asgjë thelbësore mbi të cilën të bien dakord.
Dhe, këtë e konfirmoi vizita e Sekretarit të Shtetit, Majk Pompeo, në Soçi të Rusisë , dhe takimet e tij me Putinin dhe homologun rus Sergei Lavrov. Ky është normaliteti i ri që ndoshta mund të ndryshojë, për mirë apo keq, nga ndonjë ngjarje e rëndësishme, si për shembull çmontimi i regjimit të Putinit.
Para se të publikohej raporti i Myler, marrëdhënia jofunksionale ishte në pritje. Trump, kishte refuzuar të takohej me Putinin në samitin e G-20, në Argjentinë në nëntorin e vitit 2018, duke cituar si arsye konfiskimin e dy anijeve ukrainase në Ngushticën Kerç. Megjithatë, pamundësia e Mylerit për të gjetur dëshmi të një komploti Trump-Rusi, nxiti rifillimin e kontakteve, edhe pse marinarët ukrainas mbetën robër në Rusi.
Trump dhe Putin folën në telefon më datën 3 maj; dhe sipas Kremlinit ishte Trump ai që kishte marrë iniciativën i pari. Trump rrëfeu se Putini ishte sarkastik, gjatë telefonatës në lidhje me përfundimet e raportit Myler: Ai buzëqeshi, kur tha diçka mbi efektin e asaj që nisi si një mal, dhe që përfundoi duke qenë një mi”.
Trump e vlerësoi atë lloj qëndrimi, por biseda në tërësi ishte e pafrytshme, për shkak të zënkave të vjetra. Ukraina, Koreja e Veriut dhe Venezuela, po e spostojnë Sirinë më poshtë në listën e cështjeve të detyrueshme për t’u trajtuar. Pas raportit Myler, disa komentatorë rusë dhe ukrainas, rinisën të flisnin për një pazar të mundshëm të madh midis Putinit dhe Trump, që përfshinte Venezuelën.
Një marrëveshje e tillë, do të përfshinte dhënien fund të mbështetjes ruse për diktatorin venezuelian Nikolas Maduro, në këmbim të një ndërprerje të mbështetjes amerikane për autoritetet ukrainase, kundër sjelljeve ruse në lindje të Ukrainës. Ide të ngjashme u përhapën pak kohë më parë edhe për Sirinë, por asnjë pazar i madh nuk u arrit atëherë, dhe asnjë i tillë nuk do të arrihet as tani.
Putin nuk e kontrolloi kurrë plotësisht presidentin sirian Bashar Al-Assad; ashtu siç sot nuk kontrollon as Maduron. Ai është ndërkohë më pak i aftë, në mbrojtjen e ushtrisë venezueliane, sesa atë të Asadit. Anasjelltas, Trump nuk mund të bëjë shumë për të ndryshuar kursin e ngjarjeve në Ukrainë: ukrainasit nuk janë pasivë në raport me fatin e vendit të tyre. Ata janë me shumicë kundër përkuljes ndaj Putinit.
Ky realitet është i dukshëm për të dyja palët. I pyetur javën e kaluar, nëse ishte e mundur një marrëveshje SHBA-Rusi mbi Venezuelën, Lavrov u përgjigj me ironinë e tij zakonshme: ”Është Trumpi, ai që bën zakonisht gati marrëveshjet”. Sigurisht, ai e dinte se biseda telefonike mes dy presidentëve mbi Venezuelën, ishte kufizuar me garncinë e Putinit, se ai nuk po ndërhynte atje, dhe me një dëshirë të përbashkët për të çuar ndihma humanitare për venezuelianët e uritur.
Pra, hetimi i Mylerit ka hedhur poshtë një marrëdhënie të afërt SHBA-Rusi, duke siguruar që çdo përpjekje e Trump për normalizimin e raporteve, të sulmohet nga një kor bipartizan në SHBA.
Por, tani që Trumpi është çliruar nga dyshimet për një komplot, është zbuluar se rrënja e problemit është e ndryshme. Ndërsa administrata e Obamës kishte përplasje ideologjike me Putinizmin, Trump nuk mund të gjejë ndonjë përfitim nga të bërit biznes me Putinin.
Ndërsa, Fjodor Lukjanov, një nga komentatorët më të zgjuar të politikës së jashtme në kampin e Putinit, shkroi të mërkurën në të përditshmen “Rossiyskaya Gazeta”: Në botën e tregtisë së Trumpit, Moska mungon – ose më mirë, ajo është herë pas here e pranishme si një pengesë, për shembull në rrugët e gazit natyror të lëngshëm amerikan në Evropë”.
Komentatorët pro-Putinit në Rusi, kanë bërë shpesh përgjegjëse politikën e brendshme amerikane për këtë situatë. Po të mos ishte Trump, thonë ata, marrëdhëniet dypalëshe do kishin dalë nga ky ngërç.
Megjithatë në realitet, Rusia është kaq e parëndësishme për axhendën ekonomike dhe tregtare të Trump, sa që çështjet ekonomike nuk shfaqen në asnjë bisedim SHBA-Rusi. Problemi i Putinit është dhe ka qenë gjithnjë, se ai nuk mund të bisedojë me Trump në të vetmen gjuhë që ai kupton: Ai nuk është i gatshëm të shesë avantazhe gjeopolitike, për ndonjë joshje ekonomike që Trump mund të ofrojë, dhe në kushte kur Putin nuk ka asgjë për t’i ofruar Trump mbi tregtinë dhe investimet.
Trump ka rënë dakord të takohet me Putinin në takimin e ardhshëm G-20, në Japoni në fund të muajit qershor. Sfondi mund të jetë më pozitiv se sa takimi i tyre në Helsinki vitin e kaluar, por përbërësit për çdo lloj marrëveshje ende mungojnë. Është e lehtë të biesh dakord me pesimizmin e Drejtorit të Qendrës Carnegie në Moskë, Dmitri Trenin, që shkroi se fundmi se në një periudhë afatshkurtër, marrëdhënia SHBA-Rusi “do të përkeqësohet, para se të bëhet edhe më keq”./Bloomberg View, Bota.al
Fraksion.com