5 orë mocion debati në Kuvend kundër vendimit të Metës për anulimin e zgjedhjeve
Kuvendi zhvillon në seancën e sotme plenare një mocion me debat, kërkuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste “Mbi aktin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, date 5.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.
Fillimisht do të bëhet paraqitja e mocionit nga kërkuesi. Më pas vijon debati i përgjithshëm sipas kohës së caktuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Në orën 12:00 Kryeministri Rama ka njoftuar se do të mbajë fjalën në Kuvend mbi aktin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, date 5.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.
“Pasi u njohëm me aktin e paprecedentë të Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, date 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe duke e vlerësuar atë si një akt absolutisht të pavlefshëm, të marrë në kapërcim të kompetencave të institucionit të Presidentit dhe në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese dhe demokratike si dhe duke konsideruar se ky akt synon të pengojë në mënyrë të kundraligjshme realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor, bazuar në nenin 98 të Rregullores së Kuvendit kërkojmë zhvillimin e një mocioni me debat në seancën më të parë të Kuvendit për këtë çështje, në përfundim të së cilit propozojmë miratimin e një rezolute sipas draftit bashkangjitur”, thuhet të në kërkesën e dorëzuar në Kuvend, nga kryetari I grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Pas debatit, Kuvendi pritet të votojë projektrezolutën.
Gjithashtu sot pritet të miratohet procesverbali i seancës plenare të datës 30.05.2019 si dhe të njoftohen projektligjet e depozituara në Kuvend.
Fraksion.com