AktualitetTë fundit

Vrasja e kreut të Njësisë Kotë, policia: Hyri për të shuar sherrin, mbeti viktimë

Policia e Vlorës ka zbardhur vrasjen e djeshme në Selenicë dhe raporton se ka vënë në pranga autorët. Burimet zyrtare të policisë bëjnë me dije se ka arrestuar 3 persona dhe shpallur në kërkim një tjetër.

Vrasja e djeshme

Rreth orës 14:20, në fshatin Petë të Selenicës, pas një konflikti me armë zjarri midis disa personave, janë plagosur shtetasit Arif Bejtaj 19 vjeç dhe Argjil Gjoka 57 vjeç, ky i fundit Administratori i Njësisë Kotë. Gjoka gjeti vdekjen në spitalin e Vlorës pas plagëve të marra nga breshëria e plumbave. Viktima dhe i plagosuri ishin duke udhëtuar në të njëjtin automjet. Pas hetimeve të kryera, dëshmive dhe provave të administruara, Policia ka zbardhur ngjarjen, duke vënë para përgjegjësisë penale autorët e dyshuar: N.B., 30 vjeç; J.B., 22 vjeç dhe A.B., 19 vjeç (arrestuar). Të tre këta shtetas janë me banim në fshatin Mavrovë. Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi M .P. (B), 32 vjeç, banues në Vlorë dhe po punohet për kapjen e tij.

Si nisi sherri

Personat e akuzuar për krimin e dyfishtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin për motive të dobëta kanë tentuar të vrasin me armë zjarri, tip pistoletë dy vëllezërit me inicialet F. O. dhe A. O., (70 dhe 65 vjeç). Argjil Gjoka së bashku me 19-vjeçarin kanë shkuar në zonë për të shuar konfliktin mes banorëve të zonës, por situata ka dalë jashtë kontrollit dhe palët janë përleshur me armë zjarri. Si pasojë e kësaj, Gjoka ka humbur jetën dhe Bejtaj ka mbetur i plagosur.

Arratisja e autorëve

Menjëherë pas krimit, në sallën operative të policisë ka mbërritur një telefonate për të raportuar ngjarjen. Ndërkohë, personat e përfshirë në plagosje dhe vrasje janë arratisur, me qëllimin që t’i shmangen arrestimit të policisë. Kjo e fundit krehu të gjithë zonën dhe ushtroi kontrolle në banesat e fshatit. Disa orë pas ngjarjes, u bë i mundur arrestimi i tre personave, ndërkohë që aventura e arratisë vazhdon për një të katërt.

Policia po vazhdon me intensitet kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.