AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë: Përvjetori i lirisë

Kosova shënon sot 20-vjetorin e hyrjes ushtarake të NATO-s, përkatësisht trupave shumëkombëshe të KFOR-it. Kjo ditë, shënohet edhe si Dita e Çlirimit të Kosovës.

Si datë e cilësuar historike, autoritetet në Prishtinë kanë ftuar që të marrin pjesë në këtë jubile, edhe ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ish-sekretaren e shtetit Madeleine Albright, gjeneralin amerikan Wesley Clark dhe shumë personalitete tjera që ndihmuan në çlirimin e Kosovës.

12:59

Palmer: Tash koha e përshtatshme për marrëveshje me Serbinë

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, tha se SHBA-ja do të vazhdojnë të jenë partner mbështetës i Kosovës, porse porositi institucionet e Kosovës që të angazhohen në fuqizimin e fuqizimin e rendit dhe ligjit.

“Një e ardhme e ndritur varet nga rendi dhe ligji, demokracia e fortë dhe llogaridhënia si dhe refuzimi i pandëshkueshmërisë”, deklaroi Palmer.

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, gjatë fjalës së tij, foli edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se tani është koha ideale për t’u arritur marrëveshja përfundimtare në mes të të dyjave vendeve.

“Nuk ka kohë më të mirë, më të përshtatshme se tani për ta bërë këtë. Greqia dhe Maqedonia (e Veriut) së fundmi e arritën pajtimin dhe ka qenë kjo e arritur nga liderë largpamës dhe natyrisht duke i harruar konfliktet e kaluara”, tha Palmer.

“Kosova dhe Serbia gjithnjë do të jenë fqinjë dhe do të jenë shumë të ngushtë dhe natyrisht të dyja vendet duhet të zhbllokojnë të ardhmen evropiane dhe të orientohen nga stabiliteti dhe përparimi”, deklaroi Palmer.Shpërndaje

12:39

Clinton: Ardhja në Kosovë, nder shumë i madh

Ish presidenti amerikan, Bill Clinton, në fjalimin e tij në ceremoninë e 20 vjetorit të Ditës së Çlirimit, tha se “gjithmonë do të jetë nderi më i madh në jetë të qëndroj në Kosovë, në liri”.

Ish presidenti amerikan, Bill Clinton

“Para se të mendoni për të gjitha gjërat që duhet t’i bëni, jeni mirënjohës që në udhëtimin tuaj të vështirë dhe të gjatë nuk ka pasur kthim të dhunës sistematike, shkatërrimit. Merita për këtë i shkon qytetarëve të Kosovës të të gjitha etnive, të cilët kanë vendosur të jetojnë me shpresën e të ardhmes së duhur”, tha Clinton.

12:22

Albright: Kauza jonë ishte e drejtë

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjatë ceremonisë qendrore për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, tha se vendimi për të ndërhyrë në Kosovë, “ishte i drejtë”.

Ish-sekretarja Albright gjatë fjalimit në Prishtinë

“Aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë dhe më e rëndësishmja është se ia dolëm për arsye se kauza e jonë ishte e drejtë dhe për arsye të qytetarëve të Kosovës përtej të gjitha pyetjeve, praktikave dhe politikave”, tha ish-sekretarja Albright.

Albright rrëfeu për një premtim që ajo ua kishte bërë para 20 vjetësh refugjatëve nga Kosova të cilët ishin larguar nga shtëpitë e tyre dhe ishin vendosur në Maqedoni.

“Në ditët që pasuan të fushatës sonë kam vizituar një kamp me refugjatë të Kosovës në Maqedoni dhe më kujtohet kur po ecja nëpër tokën me pluhur, me 20 mijë të dëbuar, të rinj dhe të vjetër dhe një djalosh po mbante një pankartë: ‘E dua Amerikën’, dhe në fund thoshte se dëshiroj të kthehem në Kosovë. Unë ndalova dhe fola më nënën e tij e cila më tha që gjyshi i atij djaloshi kishte vdekur derisa po ikte nga Kosova dhe se ishte gjyshja e tij që po qëndronte ende në Prishtinë. Unë u ftova në një tendë ku një grup i grave folën për interesin e tyre për tu kthyer, dhe ju thash keni durim por gjithashtu ju thash se kur të ktheheni atje do të jenë ushtarët e NATO-s për të ju ndihmuar që të zhvilloni një jetë normale. Duke ju falënderuar grave dhe burrave të NATO-s ne e përmbushëm këtë premtim”, deklaroi Albright.

12:13

Thaçi: Marrëveshjen gjithpërfshirëse ua kemi borxh atyre që sakrifikuan për lirinë

“Ne jemi të bindur që së bashku, duhet dhe mund të ecim më shpejtë drejtë integrimit të Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike dhe në Bashkim Evropian. Ne e meritojmë këtë ashtu siç e kemi merituar të jemi të lirë”.

“Ashtu siç kemi qenë vite më parë, të bëjmë marrëveshje historike me Serbinë ashtu jemi edhe sot të vullnetshëm të bisedojmë për të bërë marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim e marrëdhënieve si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Dhe këtë ua kemi borxh të gjithë atyre që vuajtën dhe sakrifikuan për lirinë e Kosovës”, tha Thaçi në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së shënimit të 20 vjetorit të Çlirimit.?REL

 

Fraksion.com