KLP dërgon për vetting pesë prokurorë në garë për SPAK, Cana tërhiqet nga gara
Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të mërkurën të dërgojë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për të kaluar sitën e Vettingut, pesë prokurorë në garë për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), teksa pranoi kërkesën e prokurorit Shkëlzen Cana, për t’u larguar nga gara për SPAK.
Në mbledhjen plenare të zhvilluar sot nga KLP, u vendos që të miratohen projekt-aktet e vlerësimit, ne kuadër të rivlerësimit kalimtar për 7 prokurorë subjekt rivlerësimi (Vetingut).
Sipas vendimit të KLP, prokurorët që tashmë do kalojnë sitën e vettingut janë, Anita Jella, Alketa Nushi, Enkeleda Xhengo, Dorina Bejko, Moisi Duda, Elida Kaçkini, Ndini Tavani. Pesë prej këtyre prokurorëve, kandidat për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ndërkohë, në mbledhjen e nisur sot në orën 10:00, u shqyrtua dhe kërkesa e prokurorit, Shkëlzen Cena, i cili kërkonte nga KLP të pranonte vullnetin e tij për t’u tërhequr nga gara për SPAK. Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi me 10 vota pro kërkesën e tij.
Sipas ligjit në fuqi, këto vlerësime (projekt akte) dërgohen më pas pranë organeve të Vetingut dhe OMN.
Fraksion.com