DASH: Vendimi i Presidentit Meta?! Eshtë “njoftim”, jo “vendim!
Vendim? Dekret? Akt normativ? Akt individual? Amerikanët nuk mendojnë kështu. Ata mendojnë se akti i Presidentit shqiptar Ilir Meta për të shtyrë zgjedhjet është një…”njoftim”.
Shumëkujt nuk i ra në sy sot, në pyetje-përgjigjen mes Zërit të Amerikës dhe zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, në lidhje me shtyrjen e zgjedhjeve nga kreu i shtetit shqiptar, një detaj që duket aspak i rastësishëm. Përkundrazi, është mjaft i përzgjedhur dhe domethënës.
Më poshtë po japim të plotë lajmin e Zërit të Amerikës. Vini re termin e zgjedhur në pyetjen e gazetarit dhe përgjigjen e Departamentit të Shtetit:
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i pyetur nga Zëri i Amerikës lidhur me vendimin e presidentit Ilir Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, tha se Departamenti i Shtetit është duke ndjekur zhvillimet në Shqipëri dhe po mban kontakt me aktorët përkatës lidhur me ndikimet ligjore të njoftimit të presidentit.
Departamenti i Shtetit, tha zëdhënësi, do të vazhdojë të ndjekë dhe vlerësojë situatën që është në zhvillim e sipër.
Lidhur me gjendjen politike në Shqipëri, zëdhënësi tha se qëndrimi i Uashingtonit mbetet i njejtë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të shmangin konfrontimet dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për të ardhmen e Shqipërisë.
Partitë e opozitës, tha zëdhënësi, duhet të gjejnë një rrugë për të hapur dialogun me qeverinë rreth reformës elektorale, përfundon lajmi i VOA.
Ka pasur shumë debate e diskutime orët e fundit, mes përfaqësuesve diplomatikë në Tiranë e jashtë saj, në lidhje me shtyrjen e njëanshme të zgjedhjeve nga kreu i shtetit Ilir Meta. Pozicionimi i Departamentit të Shtetit për “njoftimin e presidentit Meta”, përbën një detaj esencial në leximin e asaj që ka ndodhur në Tiranë orët e fundit. Ndoshta prandaj edhe vetë Meta i ftoi amerikanët të shkojnë në Korenë e Veriut në konferencën e sotme të shtypit…
Fraksion.com