AktualitetKosovaTë fundit

Clinton në Kosovë: Krenar që isha president kur duhej dikush që do t’i kundërvihej spastrimit etnik

Ish presidenti amerikan, Bill Clinton, tha të martën në Prishtinë se Kosova meriton të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke shprehur bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë përkrahjen e plotë për Kosovën në rrugën e saj përpara.

“Mendoj se Kosova e meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë tjetër që mund të anëtarësohet një shtet i pavarur. Unë kam qenë shumë i lumtur që pasardhësi im presidenti Bush njohu Kosovën dhe pavarësinë e saj. Në një mjedis të paqartë politik në Amerikë, Kosova duket të jetë e vetmja temë për të cilën pajtohen të gjithë amerikanët prandaj ju uroj sukses dhe besoj se vendi im do të vazhdojë të ju mbështesë në përparimin tuaj”, tha ish presidenti Clinton.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e dekoroi ish presidentin amerikan me “Urdhrin e Lirisë” për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës.

Ish presidenti Clinton tha se mbarë bota mund të marrë Kosovën si shembull të demokracisë dhe përkushtimit për të përparuar dhe jetuar në paqe me fqinjët.

“Kjo është diçka për të cilën të gjitha shtetet duhet të punojnë brenda dhe jashtë kufijve të tyre. Mendoj se ju e keni rastin të vendosni edhe një shembull të ri për botën edhe për njëzet vjetët e ardhshme. Do të jem gjithmonë krenar për faktin se kam qenë president i Shteteve të Bashkuara në kohën kur juve ju duhej dikush që do të qëndronte kundër spastrimit etnik, dëbimit të njerëzve nga shtëpitë e tyre”, tha ish presidenti amerikan.

Ai u prit edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj, i cili pas takimit shkroi ne rrjetet sociale: “Ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen! Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe te populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur, President Bill Clinton. Falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës! Falë kësaj kthese historike, fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën! President Clinton, faleminderit dhe përjetë mirënjohës për ju dhe popullin Tuaj”.

 

Fraksion.com