Biba: Vendimi paradoksal i presidentit, rasti kur qëllimi nuk justifikon mjetin
Në një demokraci kushtetuese, qëllimi, sa do i mirë të jetë, nuk justifikon çfarëdolloj mjeti të përdoret për arritjen e tij”, deklaron zv.kryetari i KQZ-së, Denar Biba, duke reaguar në lidhje me vendimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të zhdekretuar datën e zgjedhjeve vendore, datë të dekretuar po nga Presidenti, në nëntorin e vitit 2018.
Sipas Bibës, situata është paradoksale duke sjellë shembullin kaukazian të konceptit të paradoksit.
“Kaukazianët janë gënjeshtarë. Besomë, unë jam kaukazian!” është një nga variantet e adoptuara gjerësisht të Paradoksit të Gënjeshtarit. Të dyja deklaratat janë të pranueshme veç e veç: “kaukazianët janë gënjeshtarë” dhe “unë jam kaukazian”, por të ndërthurura e të thëna nga i njëjti individ, këto dy të vërteta binare krijojnë një kontradiktë logjike (prej këtej edhe kuptimi i paradoksit)”.
“Pa asnjë ndryshim në thelb, paradoksi i gënjeshtarit mund të përshtatet edhe si: “Politikanët janë gënjeshtarë. Besomë, unë jam politikan!”; “Juristët janë gënjeshtarë. Besomë, unë jam jurist!”; “Gazetarët janë gënjeshtarë. Besomë, unë jam gazetar!”, apo duke e personalizuar “Ylli Bardhi është gënjeshtar! Besomë, unë jam Ylli Bardhi”, vijon Biba.
“Paradoksi është një deklarim në dukje logjik dhe me premisa të vërteta, por që në përfundim çon në një konkluzion absurd. Një tjetër paradoks është ky më poshtë, që këto ditë po e dëgjojmë shpesh nga juristë, politikanë a gazetarë: “Presidenti nuk shkarkohet, sepse procedura parlamentare që rregullon mbi këtë gjë, e parashikuar nga Rregullorja e Parlamentit, është shumë e komplikuar dhe zgjat shumë. Por procedura është e rëndësishme dhe Rregullorja duhet respektuar! Nga ana tjetër – vijojnë po të njëjtët – veprimet e Presidentit nuk përbëjnë “shkelje të rëndë” të Kushtetutës. Fakti që shfuqizoi Dekretin e tij për datën e zgjedhjeve, duke e lënë vendin praktikisht pa datë zgjedhjesh, ndryshe nga detyrimi që i ngarkon Kushtetuta, është thjesht procedurë, dhe procedura është e parëndësishme përpara argumenteve për sigurinë sociale apo zgjedhjet pa opozitën”, shprehet Biba.
“Kaq për kaukazianët, juristët, politikanët dhe gazetarët për sot. Një ditë tjetër, do të shkruaj për sofizmin, që është një argument në dukje korrekt dhe i pranueshëm, por që në thelb nuk qëndron. Në një demokraci kushtetuese, qëllimi, edhe Thënë thjesht, nëse është i mirë (qasje gjithsesi subjektive), nuk justifikon çfarëdolloj mjeti të përdorur për arritjen e tij (objektiv)”, thekson Biba.
Fraksion.com