Zgjatet ndalimi i pjesëmarrjes së atletëve rusë në garat ndërkombëtare
Organi administrues i atletikës njoftoi se do të zgjasë vendimin për ndalimin e atletëve rusë nga pjesëmarrja në garat ndërkombëtare për shkak të shqetësimeve se Rusia ka bërë hapa mbrapa në reformimin e programeve të anti-dopingut. Kampionati botëror i atletikës fillon në Katar në muajin shtator.
Shoqata Ndërkombëtare e Federatave të Atletikës tha të dielën se Rusia do të ketë edhe tre muaj kohë për të demonstruar se po bën përparim në pastrimin e sistemeve të monitorimit të dopingut.
Nëse Rusia nuk ndërmerr hapat e duhur, atletëve të “pastër” rusë do t’u kërkohet të konkurrojnë nën një flamur neutral, jo-rus në kampionatin botëror të atletikës që fillon në shtator në Katar.
Rune Andersen, i cili kryeson grupin e punës të Shoqatës së Atletikës që monitoron sistemet ruse të anti-dopingut, tha se për të shmangur dënimet për parregullsi, Rusia ka përdorur mostra të vjetra të testeve të atletëve.
Por ai tha gjithashtu se ekzistojnë shqetësime se trajnerët e ndaluar vazhdojnë të punojnë me atletët rusë.
“Duke qenë se RUSAF (Agjencia ruse e anti-dopingut) ende nuk ka përmbushur kushtet e ripranimit, grupi i punës ka rekomanduar që ajo të mos rikthehet tani për tani. Grupi i punës ndan pakënaqësinë e këshillit të Federatës së Atletikës se përparimi në dy fusha është duke u minuar nga hapat e qartë mbrapa në dy fusha të tjera. Këshilli shpreson se çështjet e pazgjidhura do të mund të zgjidhen së shpejti”, tha Rune Andersen, shef i grupit të punës për anti-dopingun rus në Shoqatën Ndërkombëtare të Federatave të Atletikës.
Rusia është pezulluar nga garat ndërkombëtare të atletikës që nga viti 2015 pas zbulimit për doping të përhapur. Organizimi nga Rusia i lojrave olimpike dimërore të Soçit në vitin 2014 u zbeh nga zbulimi i një përpjekjeje të organizuar nga qeveria për të maskuar mostrat e atletëve që përdorin substanca të ndaluara.
Dhjetra atletë rusë “të pastër” që nga ajo kohë janë lejuar të konkurrojnë nën një flamur neutral.
Dmitry Shlyakhtin, president i federatës së atletikës në Rusi, tha se organizata e tij po punon për largimin e trajnerëve të ndaluar.
Por ai gjithashtu tha se “fakti që ka pasur shkelje duhet të provohet.”/VOA
Fraksion.com