AktualitetOp-EdTë fundit

Për ta shpëtuar Shqipërinë, të shkarkohet Ilir Meta!

Nga Baton Haxhiu

Nga prizmi moral nuk mund të flasë presidenti që moralin nuk e ka pasur asnjëherë virtyt dhe as model të komunikimit publik.

Pajtohem me Tony Blair kur thotë se ka dëshirë që kundërshtarët politikë t’i pensionojë nga politika me garën e zgjedhjeve, por jo t’i futë në burg për gabimet e bëra gjatë mandatit qeverisës. Mirëpo, kur gabimet rrezikojnë kushtetutshmërinë e shtetit, çfarë të bësh me ata liderë?

Presidenti i Shqipërisë me vendimin e tij të sotëm tregoi zvetënimin moral të funksionit të kreut të shtetit. Vendosi ta bëjë një rrëfim të tij në zyrën e të parit të shtetit sikur mes djeshmes dhe të sotmes të kishte rënë një perde e hekurt. Sikur të mos e kishim jetuar kohën politike të para disa viteve.

Ilir Meta na trajton kujtesën sikur të mos kishim qenë ne ata që i kemi përjetuar vendimet politike të kohës dhe sjelljet e tij nëpër ekrane dhe përgjime. Ai bën rrëfim presidencial sikur njerëz dhe sende e situata kanë ndryshuar brenda natës. Ky rrëfim i sotëm është një narracion i dhunshëm që përmbys gjithçka të arritur në politikën shqiptare.

Duke u thirrur në rrezikun që i kanoset pluralizmit dhe parashikimit për përplasje civile, Presidenti thirret në emër të Unitetit dhe rrezikut që po i kanoset pluralizmit.

Pluralizmi si koncept është keqkuptuar me intriga dhe keqshpjeguar me padije nga Presidenti. Për ata që e kanë një pikë shije politike dhe lexueshmëri elementare, pluralizmi nuk parasheh heqjen dorë të partive politike nga procesi zgjedhor.

Pluralizmi si koncept është dhënie e mundësive të barabarta në jetën shoqërore për pjesëmarrje në zgjedhje. Ikja nga procesi zgjedhor është vendim politik, po aq sa është edhe pjesëmarrja. Prandaj, interpretimi me padije i një situate e lë vendin pa të ardhme dhe pa sistem politik. E lë pa institucione. Krijimi i precedentëve të rrezikshëm është më i rëndë për shtetin sesa mospjesëmarrja e PD-së dhe LSI-së në zgjedhje.

Sikur ky vendim të aprovohej, a mund ta merrni me mend se çfarë do të ndodhte me sistemin politik në Shqipëri?

Paramendojeni që në emër të pluralizmit të cilin e pretendon Presidenti të mos marrin pjesë në zgjedhje partitë e pakicës greke, apo çamët. Apo edhe vetë Partia Socialiste. Ku shkon shteti me këtë kapadaillëk fjalësh presidenciale, të njeriut që për një kohë është bërë promotor i të parit që shkel gjithçka që ka të bëjë me institucionin e presidentit?

Ai me padije përmend përplasjen civile. Le ta marrë përgjegjësinë Presidenti për këtë ide të dhunës së paragjykuar, të shtruar në opinion nga zyra e tij.

Po mundohem që të përshkruaj se çka përfaqëson kjo ide dhe ky rrëfim (me qëllim e them “rrëfim”, sepse konferenca e tij për shtyp s’ka të bëjë me një vendim presidencial). Ai po hyn në garën e njëanshmërisë politike. Bashkë me Berishën, ai flet pakuptimtë për fërkimet e të gjitha llojeve, për intrigat që i kanë krijuar vetë duke sfiduar rendin dhe ligjin, keqkuptimet për gjerat më të thjeshta, që janë bërë si dukuri normale e Ilir Metës. Liderët që kanë qëllime primitive të pushtetit mund t’i sfidosh vetëm me gjuhën që ata e kuptojnë dhe të veprosh me ta me mjete që ata i njohin.

Pse?

Vendimi i Presidentit të Shqipërisë, Ilir Metës, për t’i çdekretuar zgjedhjet lokale në Shqipëri nuk është vetëm një veprim i rënde antikushtetues, por edhe një ndërmarrje e mirë-planifikuar politike në bashkëpunim të ngushtë me PD-në dhe LSI-në.

Së pari, Presidenti i Shqipërisë nuk gëzon asnjë kompetencë ligjore e as kushtetuese për t’i çdekretuar zgjedhjet. Presidenti ka vetëm rol simbolik në dekretimin e tyre, por assesi ndonjë mundësi ligjore për çdekretimin e tyre. Kushtetuta e Shqipërisë përcakton qartë se Presidenti nuk mund të ushtrojë kompetenca tjera përveç atyre që në mënyrë shprehimore janë përcaktuar me kushtetutë. Koncepti i çdekretimit, ndërkaq, nuk figuron askund në Kushtetutën e Shqipërisë. Për më tepër, data 30 qershor është data e fundit që mund të garantojë plotësimin 4 vjeçar të të zgjedhurve në ushtrim të mandateve të pushtetit vendor. Pas plotësimit të mandateve, të zgjedhurit më nuk mund t’i vijojnë aktivitetet e tyre dhe, si rrjedhojë, do të bllokohet gjithë veprimtaria e pushtetit vendor në Shqipëri. Ky veprim, pra, nuk është në funksion të rikthimit të unitetit politik, por realisht në shërbim të thellimit të krizës institucionale në Shqipëri.

Së dyti, Presidenti i Shqipërisë ka demonstruar një nivel të paprecedentë papërgjegjësie politike në Shqipëri.

Vetëm dy javë para vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, Ilir Meta ka vendosur ta shpie vendin në një krizë të thellë duke i anuluar zgjedhjet lokale. Në vazhdën e gjitha sulmeve të orkestruara që PD dhe LSI kanë ndërmarrë kundër Shqipërisë gjatë tërë kësaj periudhe për ta pamundësuar hapjen e negociatave, Ilir Meta ka zgjedhur momentin më delikat për t’i zhbërë zgjedhjet lokale në Shqipëri.

Me këtë veprim Ilir Meta ka pushuar së qeni përfaqësues i unitetit të popullit, por është pozicionuar qartazi si një aktor i anshëm politik.

Ai tashmë sillet si burri i Monika Kryemadhit, por jo si President i Republikës së Shqipërisë. Me këtë veprim ai ka parashtruar mundësinë për delegjitimim të procesit demokratik të 30 qershorit dhe krijim të një situate të paparashikueshme pas saj.

Kështu, Ilir Meta nuk ka mbyllur thjesht mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve me 30 qershor, por ka filluar një luftë të hapur me Qeverinë. Veprimi i tij nuk është thjesht problem në vetvete: veprimi i tij tash imponon edhe marrjen e një sërë veprimeve plotësuese në vijim të çdekretimit të zgjedhjeve. Tani, Meta nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve, do ta vazhdojë kontestimin e Qeverise në çdo takim dhe vazhdimisht do të punojë kundër Qeverisë, duke cenuar drejtpërdrejtë edhe Shqipërinë. Kësisoj, nëse Parlamenti i Shqipërisë nuk i fillon menjëherë procedurat e shkarkimit të Metës, atëherë Meta krizën politike në Shqipëri do ta zgjerojë në një krizë institucionale dhe shtetërore.

Ilir Meta duhet të shkarkohet gjithsesi nga posti i Presidentit.

Ai ka abuzuar edhe me numrin e paktë të kompetencave kushtetuese që ka, gjithnjë në përpjekje për t’u faktorizuar politikisht. Meqë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk e ka parë të arsyeshme të ketë një konflikt të hapur me institucionin e Presidentit, ai ka toleruar vazhdimisht sjelljen abuzuese te Presidentit. Presidenti në mënyrë antikushtetuese nuk e ka dekretuar fillimisht Ministrin e Brendshëm, e pastaj e ka bërë të njëjtën edhe me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme. Për ta maskuar agjendën e tij të ngushtë dhe meskine politike, Ilir Meta ka mobilizuar narrativa nacionaliste dhe ka shitur një sjellje kinse prej një personaliteti parimor në publik. Duke shfrytëzuar mungesën e Gjykatës Kushtetuese, Ilir Meta nëpërmes veprimeve arbitrare gjithmonë ka kryer veprime në shërbim të PD-së dhe LSI-së.

Shqipëria mbase është i vetmi vend në botë ku Presidenti flet për unitet paradite dhe gruaja e tij, zonja e parë e shtetit, hedhë mollotovë në mbrëmje. Për më shumë, Shqipëria është i vetmi vend në botë ku një personalitet që shihet në një video-incizim për kusur pazari ditor të marrë guximin që prapëseprapë të vendosë t’i deprivojë shqiptarët nga mundësia e votës së lirë dhe zgjedhja e përfaqësueseve të tyre.

Shqipëria për pothuajse 30 vite nuk ka arritur të prodhojë një klimë normale elektorale dhe një ambient të favorshëm demokratik. Pikërisht për shkak të njerëzve të politikës si Meta, Berisha dhe bashkëpunëtorëve të tyre të heshtur nga radhët e PS-së, si Ditmir Bushati, Niko Peleshi dhe Arben Ahmetaj. Këta të fundit, në mënyrë të heshtur, janë në pritje të thellimit të krizës së Ilir Metës në mënyrë që t’i rifitojnë privilegjet e humbura. Në fakt, vetë Bushati kur kishte humbur detyrën kishte dërguar një letër në Presidencë tek Meta, me vulë sekrete, kundër Ramës dhe Cakajt duke gënjyer me paturpësi. I njëjti ka vazhduar të flasë me pezëm e mëri kundër Ramës e Cakajt në vizitën e tij të fundit në Vjenë në kuadër të angazhimeve të tij në OSBE.

Pse po e përmendi këtë fakt?

Pikërisht ngaqë tashmë është krijuar një rreth kundërshtarësh politikë të cilët më nuk zgjedhin mjete për t’ia gërryer Ramës terrenin politik ngadalë, por sigurt. Në këtë situatë, Rama assesi nuk duhet të përgjigjet duke bërë makinacione politike ndaj këtyre njerëzve. Në fakt, Rama thjesht duhet të bëjë veprimin më dinjitoz kombëtar në kuadër të rrethanave aktuale: shkarkimin e Ilir Metës nga detyra e Presidentit të Shqipërisë.

Me veprimin e tij për t’iu pamundësuar të drejtën shqiptarëve të votojnë, Ilir Meta i ka dhënë goditjen më të madhe pluralizmit politik në Shqipëri që nga vitet e 1990-ta. Me manipulimin e tij me çështjen e dekreteve dhe duke i kaluar kompetencat kushtetuese në vazhdimësi, Ilir Meta ka cenuar rëndë ndarjen e pushteteve gjatë gjithë kësaj kohe. Më shumë se në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese, ai është sjellë në përputhje me ëndrrën e tij prej monarku. Ai ka bërë praktikisht puç antishtetëror me çdekretimin e zgjedhjeve dhe, si rrjedhojë, ai s’meriton të jetë në atë detyrë më tutje!

Partia Socialiste dhe Edi Rama duhet ta kuptojnë se nuk mund ta shpërfillin vendimin e Presidentit për çdekretim të zgjedhjeve pa marrë masa ndaj një Presidenti që e ka humbur besueshmërinë në tërësi.

Ilir Meta ka frikë deri në palcë nga përsëritja e gjykimit për rastin ku ai është kapur duke vjedhur në xhirime drejtpërdrejt gati në shuma milionëshe.

Prandaj, për ta shpëtuar veten, ai ka zgjedhur njollosjen e reformës në drejtësi.

Prandaj, për ta shpëtuar partinë e tij, ai ka zgjedhur rrënimin e Shqipërisë.

Prandaj, për ta shpëtuar Shqipërinë, Ilir Meta duhet të largohet nga zyra e Presidentit me urgjencë.

 

Fraksion.com