Ken Cuccinelli emërohet Drejtor i Përgjithshëm në detyrë i Shërbimit të Shtetësisë dhe Imigracionit
Ish-Prokurori i Përgjithshëm i Virxhinias, Ken Cuccinelli, zyrtarisht është emëruar drejtor i përgjithshëm në detyrë i Shërbimit të Shtetësisë dhe Imigracionit në Shtetet e Bashkuara (USCIS).
Presidenti Donald Trump i kërkoi Cuccinelli, një ligjvënës konservator i njohur për pikëpamjet e tij të vijës së ashpër për emigracionin, që të udhëheqë agjencinë që ka për detyrë administrimin e sistemit ligjor të emigracionit të vendit.
Cuccinelli do të udhëheqë një agjenci me 19,000 punonjës dhe kontraktorë.
Sipas një deklarate për shtyp të Agjencisë, përveç administrimit të sistemit të ligjshëm të emigracionit të vendit, USCIS mbron amerikanët, krijon kushtet e sigurisë për vendin dhe nderon vlerat e Amerikës.
Drejtori i ri në detyrë tha se Agjencia USCIS ka “përgjegjësi të jashtëzakonshme” për të administruar dhe mbrojtur integritetin e sistemit të emigracionit të SHBA, të cilin ai e përshkroi si “më bujarin” në botë.
Emërimi i Cuccinelli u shoqëruan me polemika. Para njoftimit të së hënës, u tha se administrata Trump po krijonte një pozicion të ri, që synonte ndryshimin e sistemit të imigracionit të Amerikës në kushtet e një shtimi të përshpejtuar të emigrantëve të Amerikës Qendrore dhe azilkërkuesish që vijnë nga kufiri SHBA – Meksikë.
Fraksion.com