Njoftimi 

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon me rigorozitet kontrollet e mallrave ushqimore në Pikat e Inspektimit Kufitar me qëllim parandalimin e praktikave abuzive me sigurinë e ushqimeve dhe ndalimin e futjes në tregun vendas të mallrave ushqimore me siguri të cënuar dhe të papërshtatshme për konsum.

Nga kontrollet e kryera në Pikat e Inspektimit Kufitar Morinë, Hani i Hotit dhe Durrës AKU ka bllokuar katër ngarkesa produktesh: lëngje frutash, pije energjike dhe kripë.

1) Nga kontrolli i ushtruar në praktikën e importit të një ngarkesë me 20.4 ton lëngje frutash (nisur nga Serbia me qëllimin për t’u tregtuar në Shqipëri nga subjekti ALFA sha) u konstatua se produktet nuk përmbushnin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore për jetëgjatësinë (produkteve i’u kishte mbetur afat përdorimi më pak se gjysma e jetëgjatësisë, për rrjedhojë nuk plotësonte kërkesat ligjore të parashikuara në pikën 2 të Urdhërit Nr.250, datë 29.07.2011). Për këtë arsye, AKU ndaloi hyrjen e mallrave në Shqipëri dhe urdhëroi kthimin e ngarkesës në vendin e origjinës.

2) Nga kontrolli i ushtruar në një ngarkesë me 2.7 ton “Krip Himalaje” (nisur nga Maqedonia me qëllim tregtimin në Shqipëri nga subjekti Lindi AL) për t’u përdorur për konsum human, u kontrollua për përputhshmërinë me kërkesat ligjore për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut (Ligji nr 9942 datë 26.06.2008, neni 6). Pas kontrollit të ushtruar u konstatua se produkti kishte mangësi në dokumentacionin shoqërues (nuk ka raport-analizë të vlefshme për nivelin e jodit si dhe etiketa nuk përcakton saktësisht përmbajtjen e jodit). Për rrjedhojë, AKU ndaloi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe urdhëroi kthimin e saj në vendin e origjinës.

3) Nga kontrolli i ushtruar në Pikën e Inspektimit Kufitar Hani i Hotit në një ngarkesë me 4043 kg pije energjike RED BULL (produkti vinte nga Rumania dhe importohej nga Barcen Distribution shpk), u konstatua se produkti nuk plotësonte kërkesat ligjore të importit (mangësi në dokumentacionin shoqërues). AKU bllokoi fillimisht ngarkesën dhe i kërkoi subjektit plotësimin e dokumentacionit shoqërues. Pas kalimit të afatit kohor për plotësimin e mangësive në dokumentacion dhe në kushtet kur subjekti nuk paraqiti dokumentacionin e nevojshëm për të garantuar sigurinë e produktit sipas kërkesave ligjore të importit, AKU urdhëroi kthimin e produktit në vendin nga ku është importuar.

4) Nga kontrolli i ushtruar në Pikën e Inspektimit Kufitar Durrës në një ngarkesë me 21 ton kripë (produkt me origjinë nga Gjermania importuar për konsum human në Shqipëri) u konstatua mospërputhje e kërkesave ligjore për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut (Ligji nr. 9942datë 26.02.2008, neni 6). Gjatë kontrollit të dokumentacionit përkatës si dhe pas kontrollit fizik të ngarkesës, ka rezultuar se etiketa e produktit kripë nuk përmbante të dhënat kryesore si: niveli i jodit, data e skadencës dhe e prodhimit. Për këto arsye, Aku vendosi masën administrative “Bllokim Produkti” për sasinë 21 ton kripë dhemasën administrative “kthim në vendin e origjinës ” së produktit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon pandërprerje kontrollet për të garantuar zbatimin e legjislacionit të sigurisë ushqimore për mallrat që importohen për konsum human në vendin tonë.

 

Fraksion.com