AktualitetPolitikëTë fundit

PS kërkon ta shkarkojë, reagon Meta

Ndërkohë që ka nisur mbledhja e 35 firmave për të inicuar kërkesën e Partisë Socialiste për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, vjen edhe  reagimi i tij për herë të parë.

Ai zotohet se Kushtetuta do të mbrohet deri në fund me qetësi dhe shqiptari.

Ky qëndrim pas takimit që pati me disa studentë nga Prishtina, me rastin e 141-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në prag të kremtimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

“I lumtur të ndanim qëndrimin se rinia duhet të jetë promotore e proceseve demokratike dhe integruese në të dy vendet tona dhe se është shumë e rëndësishme që Shqipëria e Kosova të forcojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat. Të bëjmë të gjitha përpjekjet për të rritur shpresat dhe për t’i hapur perspektivat rinisë, për të ndërtuar të ardhmen në vendet tona. Lidhur me shqetësimin e tyre për zhvillimet në Shqipëri i garantova se Kushtetuta do të mbrohet deri në fund me qetësi dhe shqiptari”, shprehet Presidenti.

Ky qëndrim vjen pasi ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, deklaroi në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste se në seancën e së enjtes do të ketë një debat të gjatë duke shtjelluar të gjithë argumentet se si Ilir Meta ka sulmuar Republikën e Shqipërisë dhe ka shpikur një institucion që sipas saj nuk ekziston askund, të quajtur ‘ç’dekretim”.

Spiropali tha se debati do të mbledhë të gjithë argumentet, ndërsa më tej do i kalojnë Kolegjit Zgjedhor që ta shqyrtojë nga pikëpamja juridike.

“Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion dhe parlamenti do të nisë procedurën e shkarkimit si President. Do të nisë nga seanca e radhës parlamentare, detyra jonë për të mbrojtur Kushtetutën dhe rendin kushtetues”, u shpreh Spiropali.

 

Fraksion.com