Palmer: SHBA e mbështet dialogun, duam që taksa të hiqet
Shtetet e Bashkuara e mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian midis Serbisë dhe Kosovës, tha zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
“Shohim se taksa është pengesë e tij. Duam që ajo të hiqet dhe në këtë mënyrë të dyja palët t’i kthehen tryezës së bisedimeve”, tha Palmer, duke folur për tarifën 100% që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.
Që nga ky vendim, Serbia është tërhequr nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke thënë se negociatat nuk do të vazhdojnë pa heqjen e taksës.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Haradinaj, ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën.
I pyetur se çfarë pret nga takimi i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, i cili pritet të mbahet më 1 korrik në Paris, nën organizimin e Gjermanisë dhe Francës, Palmer tha se Uashingtoni e mbështet plotësisht atë që bëjnë partnerët evropianë për zgjidhjen e problemit.
“Nuk mund t’ju them se si do të rrjedhë takimi në Paris, por qëllimi ynë i përbashkët është të arrijmë te marrëveshja. Besoj se ai takim do t’i udhëheqë të dyja palët në atë drejtim”, tha Palmer, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Vuçiq, në anën tjetër, tha se nuk është i sigurt nëse takimi në Paris do të mbahet.
“Jemi gati për këtë takim, por nuk mendoj se dikush dëshiron të dëgjojë edhe një herë se si dikush nuk do ta anulojë taksën”, tha Vuçiq.
Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun qysh në vitin 2011. Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian./REL
Fraksion.com