AktualitetPolitikëTë fundit

Kryetari i KQZ braktis mbledhjen: Situatë e pazakontë; Biba: Akti i Metës për zgjedhjet është i pavlefshëm

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të thirrur për dekretin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, kryetari i komisionit Klement Zguri e cilësoi situatën të pazakontë dhe një lloj sfide.

Ai tha se nga një anë është Presidentin i cili ç’dekreton datën e zgjedhjeve dhe nga ana tjetër një mbledhje me një rend dite të thirrur nga dy kolegët e tij.

“Janë tre raste kur Presidentët kanë dekretuar datën dhe kanë dekretuar një datë tjetër më tej. KQZ dhe unë personalisht duhet ti bindemi. Ne bëmë gjithçka që zgjedhjet e 30 qershorit të funksionojnë, por gjërat nuk shkuan si ne i mendonim. Për mua dekreti i Presidentit është detyrues dhe më duhet të respektoj vullnetin e tij”, u shpreh Zguri.

Ai tha se KQZ merr masat për t’ua komunikuar dekretin subjekteve zgjedhore.

Zguri deklaroi se kërkesa për tua dërguar këtë dekret subjekteve zgjedhore garuese refuzohet, ndaj nënvizoi se respektimi i ligjeve dhe hierarkisë duhet të prevalojë.

Pasi tha këto fjalë Zguri u largua nga mbledhja, duke thënë se ndodhet në një moment të vështirë për shkak se debate të tilla nuk duhet të bëheshin në KQZ.

Pas largimit të tij, nënkryetari i KQZ, Denar Biba i cili thirri edhe mbledhjen, e cilësoi dekretin e dytë të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve, si akt të paligjshëm.

Anëtarët e propozuar nga Partia Socialiste, në vijim të mbledhjes së KQZ, e cilësuan “nul” ç’dekretimin e Presidentit, duke kërkuar që të vijohet puna për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale.

***

Pjesë nga fjala e Denar Bibës:

“Me të marrë vesh ardhjen e dekretit ne vendosëm ta shtynim me dy orë për ta analizuar atë. nuk ka hierarki mes nesh dhe presidentit. Ne jemi organe të ndryshëm. Presidenti ka nxjerrë dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve “Zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor 2019”.

Kodi Zgjedhor detajon se data e zgjedhjeve përcaktohet nga presidenti i Republikës, zgjedhjet zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit. Sot vetëm 20 ditë para datës së zgjedhjeve presidenti vendos shfuqizimin e dekretit për anulimin  e zgjedhjeve. Ky dekret i dytë është një akt i pavlefshëm sipas kodit të procedurës civile. Praktikisht dekreti i sotëm bie ndesh me parimin e ligjshmërisë ku thuhet se organet publike ushtrojnë detyrat brenda kopetencave të tij.

Nxjerrja e dekretit është brenda kopetencave të presidentit,por ai nuk mund të anulojë apo të mos caktojë fare një datë zgjedhjesh. Pasi duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit Shqipëria është sot pa një datë zgjedhjesh. Duke e lënë vendin pa datë zgjedhjesh presidenti refuzon tër përmbushë detyrimin që organi publik ia ka kaluar për ta ushtruar.

Shfuqizimi i dekretit është një shkelje e hapur sepse lë vendin pa datë zgjedhjesh. Unë vlerësoj se KQZ ka detyrimin të vijojë me organizimin e zgjedhjeve për 30 qershor.

 

Fraksion.com