Këshilli i Sigurimit mban takimin e radhës për Kosovën
Këshilli i Sigurimit mban të hënën (10.06.) takimin e dytë informues për Kosovën, nga tre të planikikuara për këtë vit.
Frekuenca e takimeve
Rezoluta 1244, me anë të së cilës u krijua UNMIK 20 vjet më parë, në vitin 1999, nuk specifikon ciklin ose frekuencën e takimeve të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, por ato sipas praktikave janë mbajtur me interval tremujor. Në takimin e shkurtit, Këshilli i Sigurimit arriti një marrëveshje për të modifikuar frekuencën e takimeve. Këtë vit mbahen tre takime, në shkurt, qershor dhe tetor. Duke filluar nga viti 2020, do të mbahen dy takime në vit, në prill dhe në tetor.
Dialogu
Në shkurt, Këshilli i Sigurimit shprehu shqetësimin për mungesën e progresit në dialogun Prishtinë-Beograd si edhe për rritjen e tensionit mes tyre. Një nga çështjet e diskutuara ka qenë tarifa që Kosova ka vendosur nëntorin e kaluar për mallrat që importohen nga Serbia. Kryeministri Haradinaj ka thënë se tarifat do të qëndrojnë deri sa Serbia të njohë Kosovën.
Dialogu Prishtinë- Beograd ka vazhduar për më shumë se një vit pa ndonjë progres në zbatimin e marrëveshjes për komunat serbe në veri të Kosovës. Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron mblodhën në Berlin në fund të muajit prill, udhëheqësit e gjithë vendeve të Ballkanit. Në samit mori pjesë edhe Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e BE për politikën e jashtme, e cila u takua me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe atë serb, Aleksandar Vuçiç.
Presidenti serb ka kërkuar që Kosova të heqë tarifat, nëse do që të vazhdojë dialogun, kurse Thaçi ka kërkuar njohjen e Kosovës nga Serbia. Në samit nuk u arrit ndonjë sukses, por diskutimi do të vazhdojë në korrik në Paris. Thaçi ka kritikuar BE për mungesën e aftësisë për të arritur përparim në Ballkanin Perëndimor, dhe ka kërkuar angazhim më të madh të SHBA për të arritur një zgjidhje finale, shkruan securitycouncilreport.
Çështjet dhe opsionet
Në kuadër të rritjes së tensionit midis Beogradit dhe Prishtinës, shqetësimi kryesor i Këshillit të Sigurimit është ruajtja e stabilitetit në Kosovë. Këshilli do të vazhdojë të monitorojë përpjekjet diplomatike për të zhvillimin e dialogut Prishtinë Beograd deri në arritjen e marrëveshjes finale për Kosovën.
BE ka qenë ndërmjetësi kryesor në dialogun Prishtinë-Beograd, me anë të të cilit u arrit marrëveshja e Brukselit e 2013, për normalizimin e marrëdhënieve. Në disa sektorë është arritur progres, por në çështjet kryesore nuk është arritur zbatimi i marrëveshjes, “një aspekt në të cilin UNMIK mund të luajë një rol”, shkruan securitycouncilreport.
Disa anëtarë të Këshillit kërkojnë reduktimin e misionit, sepse në Kosovë është vendosur stabiliteti. Sekretarit të Përgjithshëm mund t’i kërkohet që të bëjë rishikimin e misionit të UNMIK-ut për efektivitetin e tij.
Dinamika në Këshillin e Sigurimit
Kosova mbetet një çështje, me të cilën Këshilli i Sigurimit merret pak. Më nga afër Kosova ndiqet nga vendet anëtare të Këshillit që kanë interesa specifike në rajon. Kjo edhe për shkak të prezencës së organizatave si BE, NATO dhe OSBE në Kosovë. Megjithatë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit vazhdojnë të jenë të ndarë sa i përket çështjeve të Kosovës. Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA e konsiderojnë Kosovën të pavarur dhe mbështesin qeverinë e saj, kurse Kina dhe Rusia nuk e njohin Kosovën dhe mbështesin pozicionin serb.
Modifikim i UNMIK
SHBA ka kërkuar reduktimin e UNMIK-ut deri në mbyllje. SHBA po ashtu ka vlerësuar se misioni ka staf shumë të madh dhe i përdor burimet financiare me tepri, megjithëse përgjegjësinë e ka të limituar. Burimet financiare mund të përdoren diku gjetkë. Çështja e modifikimit të UNMIK-ut, mund të bëhet edhe më prominente, shkruan securitycouncilreport. Mandati i UNMIK është i hapur, nuk ka afat. Çdo lloj përpjekjeje për ta ndryshuar do të kërkonte një rezolutë të re, e cila ka shumë gjasa që të bllokohet nga Rusia.
Fraksion.com