AktualitetPolitikëTë fundit

Rama i përgjigjet Metës: Zgjedhjet do bëhen, janë të popullit

Pak minuta pas deklaratë së Presidentit Ilir Meta, ka ardhur edhe reagimi i Kryeministrit. Nga Berat, Edi Rama tha se e priste vendimin e Metës për anulimin e zgjedhjeve.

Por kreu i ekzekutivit shprehet i bindur se më 30 Qershor do të ketë zgjedhje lokale.

“Presidenti ka bërë gabim, zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor”, u shpreh Rama nga Berati për vendimin e papritur të presidentit Meta që shfyqizoi dekretin duke anuluar 30 qershorin, si datë të zgjedhjeve vendore.

“E prisja edhe këtë dhe nuk është asgjë tjetër veçse mbyllja e një rrethi të një plani të bërë me kohë për një arsye, për arsyen se nuk kërkohet shtyrja e zgjedhjeve, kërkohet marrja zvarrë e kësaj qeverie dhe varrosja e reformës në drejtësi. ne në 30 qershor do bëjmë zgjedhje. Zgjedhjet nuk janë të partive, as të presidentit, por të popullit shqiptar”, tha kryeministri.

***

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vendosur të shfuqizoj Dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019.

Në një deklaratë për shtyp Meta thekson se, “me shqetësimin e thellë për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mos-reflektimit të asnjërës pale;

Duke pasur parasysh domosdoshmërinë e ç’tensionimit urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend.;

Duke marrë  përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale, dhe i bindur se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor, si Kreu i Shtetit dhe duke iu përmbajtur betimit për t’i shërbyer ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar;

Me vetëdije të plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020;

Duke ftuar të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë;

Kam vendosur të shfuqizoj Dekretin nr.10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019″.

Meta shprehet se në komunikimin e parë ditën e hënë, datë 10 qershor, në mëngjes, Institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi.

“U bëj thirrje udhëheqësve të opozitës që protesta e sotme të zhvillohet në mënyrë tërësisht paqësore, larg çdo akti dhune. Njëkohësisht u tërheq vëmendjen të gjitha palëve që të shmangin çdo provokim që mund të shfaqet gjatë protestës”, thekson Presidenti Meta.

“Shqipëria e para Shqipëria si gjithë Evropa”, nënvizon Presidenti Meta.

 

Fraksion.com