AktualitetTë fundit

Muzeu më i ri në Tiranë; “AFP” në shtëpinë e Kadaresë

Ismail Kadare ngre perden për të lejuar të hyjë drita në apartamentin e tij në Tiranë, atje ku ai shkruante në kohët e errëta të komunizmit. Një hapësirë, që tani vizitorët mund ta prekin nga afër, pasi ish-shtëpia e tij është kthyer në një muze.

Kështu, agjencia franceze e lajmeve “AFP” nis një reportazh të sajin kushtuar shkrimtarit të madh shqiptar. Në kohën e komunizmit – shkruan AFP, – dritaret ishin të mbuluara me perde të errëta, për ta mbrojtur shtëpinë nga sytë paranojakë të regjimit të Enver Hoxhës, që izoloi vendin gjatë 40 viteve.

“Ky vendi ku po qëndroj unë tani është vendi ku zakonisht punoja, i cili ka qenë gjithmonë kështu me një oxhak që funksiononte”, shprehet Ismail Kadare.

Shtëpia muze, e quajtur “Shtëpia-studio e Kadaresë” u hap në maj. Me dyshemenë e shtruar me parket, muret e gjelbra dhe të bardha, hapësira është e mbushur me kujtime personale. Vet shkrimtari ka dashur gjithnjë që vendi të ishte një muze dhe jo një mauzoleum.

“Kur arti mbetet gjallë është triumf i tij. Arti nuk triumfon kokulur, asnjëherë”, thotë më tej shkrimtari Kadare.

Me bashkëshorten e tij Elena, edhe ajo shkrimtare, Kadare e ndan kohën mes Tiranës dhe lagjes latine në Paris, ku ai shkoi në azil në vitin 1990, pak para rënies së regjimit komunist.

“Atë frymën perëndimore, që është fryma europianiste, e kam pasur. Ajo e ka shpëtuar letërsinë time që të mos mahnitej pas dokrrave bolshevike, për të mos thënë komuniste, që filtruan me prapambetjen ballkanase dhe aziatike”, tha Ismail Kadare.

 

Fraksion.com